Tre të plagosur ende në spital, të hënën nis verifikimi i dëmeve në banesa dhe biznese

Policia e Lushnjës ende nuk ka referuar materialet në prokurori lidhur me ngjarjen e rëndë ku si pasojë e shpërthimit në një biznes privat humbën jetën babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë.

Burime nga policia bëjnë me dije se deri më tani, hetimet janë fokusuar në tre vepra penale, të cilat janë shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë, shkelje të lejes pasi subjekti ka dalë nga përcaktimet e lejes si dhe shkatërrim prone nga pakujdesia. Tre veprat penale janë duke u verifikuar nga ana e grupit hetimor, ndërsa pritet në vijim dhe të zyrtarizohen.

Për të përcaktuar këto pista, hetuesit kanë dyshime se ngjarja ka ardhur për shkak se vinçi ka prekur një prej shtyllave të tensionit të lartë të energjisë, si dhe vinçi po ngrinte dy bombola oksigjeni dhe njëra prej tyre ka rënë duke shpërthyer.

Bombola tjetër e paplasur u hoq nga vendi i ngjarjes të shtunën nga ana e njësisë anti-eksploziv.

Për shkak të gjendjes shëndetësore ende nuk është marrë në pyetje deputeti Bujar Çela, i cili është pronari i ndërtesës ku po punohej.

Për shpërthimin që i mori jetën dy personave dhe plagosi 7 të tjerë do të nisë dhe një verifikim i dëmeve të shkaktuara. Nga ana e Bashkisë së Lushnjës është përgatitur një grup ekspertësh, të cilët të hënën do të nisin verifikimin e të gjitha banesave dhe bizneseve të cilat janë dëmtuar nga shpërthimi.

Në spitalin e Traumës vijojnë të ndodhen deputetin Çela dhe i plagosuri tjetër Sokol Lumi. Ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa në spitalin e Lushnjës, ndodhet Elton Korreshi, vëllai i nënkryetarit të Bashkisë së qytetit.

Klan News