Iranianët: Ndihemi të kërcënuar nga regjimi i Teheranit

Tensionet në rritje mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë shtuar vigjilencën dhe sigurinë përreth kampit ku strehohen anëtarët e MEK, në Manëz. Numri i rojeve private është rritur, si dhe patrulla të policisë qëndrojnë aty 24 orë.

“Zhvillimet në Lindjen e Mesme po ndiqen me shumë vëmendje nga komuniteti i muxhahedinëve në Shqipëri. Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhet me fatin e tyre, ndaj në kampin e tyre në Manëz të Durrësit masat e sigurisë janë rritur”.

Gjithsesi, kampi i muxhahedinëve duket i qetë. Jashtë kamerave pohojnë se po ndjekin shpresëplotë zhvillimet në Iran.

Drejtori i zyrës së shtypit të MEK e përshëndet vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani më 3 Janar.

“Ai ishte një nga kriminelët më të mëdhenj të kohës sonë dhe besoj se ajo çfarë ndodhi është mirëpritur nga njerëzit e Iranit dhe të rajonit”, thotë Shahriar Kia.

Në Shqipëri ndjehen të sigurtë, por regjimi i Iranit mbetet për ta një rrezik.

“Ne kemi qenë gjithmonë të kërcënuar nga regjimi iranian jo vetëm në Shqipëri, dhe për sa kohë regjimi iranian vazhdon aktivitetin e tij terrorist, kërcënimet do të jenë gjithmonë të pranishme”.

E përjashton faktin se Shqipëria mund të kërcënohet nga Irani.

“Ishtë sulm ndaj terrorizmit, kjo është pozitive. Ne gjithmonë kemi shpresë për të ardhmen e Iranit. Shqipëria nuk është e përjashtuar nga vendet e tjera prej sulmeve terroriste. Por jo në mënyrë specifike, pra nuk mendoj se ka ndonjë rrezik konkret për Shqipërinë”.

Prej 6 vitesh në kampin e Manzës janë të strehuar rreth 3000 muxhahedinë, kundërshtarë të regjimit të ajatollahëve në Iran.

Tv Klan