Rriten ndjeshëm rastet në Gjermani, Italia ashpërson masat

Koronavirus duket se ka shënuar pikun e tij në Spanjë. Në 24 orët e fundit 738  njerëz kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19, numri më i lartë i regjistruar që kur epidemia goditi vendin.

Sipas ministrisë së shëndetësisë, e cila beri publike të dhënat, numri i vdekjeve në total ka shkuar në 3434 teksa të infektuar rezultojnë rreth 48 mijë. I gjithë vendi ndodhet në karantinë.

Gjermania ndërkohë duket se po hyn në një situatë delikate. Numri i të prekurve me Covid-19 është rritur me shpejtësi në 31 554 teksa  149  persona kanë humbur jetën.

Kreu i institutit shëndetësor iu është drejtuar të rinjve që të mos ndihen të imunizuar, pasi njësoj si grup-moshat e tjera edhe ata mund të humbasin jetën nga virusi.

“Qëndroni në shtëpi dhe shmangni kontaktet me të tjerët”, ishte mesazhi i tij.

Deri në pesë vite burg dhe gjobë nga 400 deri në tre mijë euro për të gjithë italianët që thyejnë karantinën.

Është ky dekreti i fundit i bërë publik në një konferencë të jashtëzakonshme nga kryeministri Giusepe Conte.

I ndodhur përballë një situate që ka dalë prej kohesh jashtë kontrollit me rreth shtatë mijë të vdekur dhe 70 mijë të prekur, qeveria italiane po ashpërson masat nga dita në ditë.

Sistemi shëndetësor ndërkohë përballet me mungesë kapaciteti të mjekeve apo të vendeve në terapitë intensive.

Në 196 vende të botës koronavirus u ka marrë jetën 19 mijë njerëzve dhe ka infektuar më shumë se 420 mijë të tjerë.

Tv Klan