“Turizmi dhe financat publike premtojnë qëndrueshmëri ekonomike”

Shqipëria ka përmirësuar vlerësimin afatgjatë të kreditit “Standard & Poors” nga B+ në BB-. Ky tregues sipas kësaj agjencie vjen për shkak të përmirësimit fiskal dhe pozicionit të jashtëm të vendit.

Më konkretisht, kontribut kanë dhënë menaxhimi i matur i financave publike, rritja e sektorit të turizmit në 4 vitet e fundit, fluksi i valutës së huaj, faktorë të cilat garantojnë qëndrueshmëri të ekonomisë.

Agjencia vlerëson se se ekonomia e Shqipërisë është rritur me një mesatare mbresëlënëse prej 5.8% në vit gjatë tre viteve të fundit, duke përmirësuar njëkohësisht parametrat e financave publike.

Ky tregues ka çuar në një reduktim të konsiderueshëm të borxhit publik, nga një pik prej 74.5% të PBB-së në vitin 2020 në një vlerësim prej 58% në vitin 2023.

Standard&Poor’s vlerëson se Shqipëria ka forcuar gjithashtu bilancin e saj të jashtëm. Kjo i atribuohet akumulimit të aseteve publike, kryesisht rezervave valutore dhe të ardhurave në rritje të shërbimeve nga sektori në zhvillim i turizmit.

Agjencia vlerëson se Shqipëria do të ndërmarrë hapa institucionalë në mbështetje të ofertës së saj për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Megjithatë, sfidat e brendshme kërkojnë reforma të vazhdueshme strukturore për t’u harmonizuar me acquis të BE-së.

Tv Klan