Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan, është treguar historia e një çifti që prej 48 vitesh punojnë dhe janë të dashuruar ende me njëri-tjetrin. Me një profesion shumë të veçantë, por mbi të gjitha me një dashuri nga ato që ja vlen për të qenë subjekt filmash. Ata janë Dashamir Lusha dhe Merita Lusha.

“Kam filluar punën si këpucar që në vitin 1972 dhe deri më sot i thonë 48 vite punë në këtë zanat. E kam dashuruar këtë zanat sepse sjell dhe fitime dhe argëtim.

Në ’74 erdhi një vajzë e re në fabrikën e këpucëve. Ishte një vajzë shumë serioze, e mirë, e urtë dhe mu ngulën sytë tek ajo vajzë. Me përpjekje arritëm që u njohëm. Edhe shkolla na lidhte pasdite, 8 orë ishim në punë bashkë dhe kështu që i dhamë fjalën njëri-tjetrit dhe në ’76-tën deri më sot jemi bashkë. Kemi dhe dy vajza të mrekullueshme dhe jemi bërë 3 herë gjysh”, është shprehur Dashamir Lusha.

Kur u mbyll fabrika e këpucëve ku punonin, ata emigruan në Greqi, ku punuan në të njëtin zanat, ku përfocuan më shumë njohuritë e tyre. Pasi filloi kriza në Greqi, ata janë kthyer në Tiranë, hapën dyqanin e tyre dhe vazhdojnë të punojnë bashkë siç kanë bërë gjithë këto vite. /tvklan.al