Sfidat rreth zgjerimit të

NATO-s duhet të merren parasysh për shkak se jemi cak i disa destabilizimeve që

të defokusohen ndryshimet kyçe dhe të pengohet ky proces. Kështu vlerëson

Ministri i parë i Mbrojtjes dhe ish-dekani i Fakultetit Filozofik në Shkup,

Trajan Gocevski. Sipas tij, Rusia po mbrohet nga NATO-ja, kurse Maqedonia e

Veriut duhet t’i përforcojë mekanizmat e mbrojtjes. Lidhur me bisedat me

komedianët rus, Gocevski thekson se kjo gjë nuk është naive.

“Kjo me komedianët nuk është aspak naive. Nuk duhet

kuptuar si argëtim. Kjo nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë.”

Ish-Ministri Gocevski e

vlerëson të rrezikshme për stabilitetin e rajonit idenë e këmbimit eventual të

territoreve mes Prishtinës dhe Beogradit. Gjithashtu sipas tij, shqetësuese

paraqitet edhe gara e armatimit në rajon.

“E dini çka më shqetëson tani? Të gjithë filluan të armatosen.

Ja shihni Kroacia dëshiron të furnizohet me aviacion ushtarak, Serbia

furnizohet me aviacion, Bullgaria mori vendim për 12 avionë ushtarak. Kjo do të

thotë se vendet e rajonit fillojnë të tregojnë muskujt. Kosova është fqinji

ynë, kurse indikacionet për ndryshim kufijsh janë gjithmonë të rrezikshme,

sidomos në Ballkan.”

Ish-Ministri Gocevski vlerëson

se tashmë gjasat janë shumë reale që në samitin e Londrës në Dhjetor, Maqedonia

e Veriut do të bëhet vendi i 30-të i NATO-s. Sipas tij, vazhdimësia dhe gatishmëria

e vendit që të bëhet pjesë e Aleancës veriatlantike u konfirmua edhe me

manovrën e paradokohshme ushtarake në poligonin Krivollak, ku morën pjesë rreth

3000 ushtarë nga gjashtë vende të NATO-s.