france-policia-charliehebdo

Në ditën përkujtimore të 1 – vjetorit të masakrës ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo”, një person i armatosur me një thikë, u qëllua për vdekje nga policia, në lagjen Barbès në periferi të Parisit, teksa tentoi të hynte me forcë në komisariatin e policisë.

Zyrtarët e policisë franceze thanë se personi i armatosur bërtiti: “Allahu Ekber” dhe iu drejtua komisariatit të policisë në rrugën

Goutte D’Or

.

Autoritetet vendase njoftuan se agresori është një shtetas maroken, 25 – vjeçar, me emrin Ali Sallah, i lindur në Kazablanka. Ai ishte arrestuar më parë për vjedhje automjeti dhe kishte deklaruar se ishte i pastrehë.

Në celularin e tij u gjetën mesazhe në arabisht dhe në gjermanisht. Gjithsesi aparati celular po analizohet nga ekzpertët e kriminalistikës për të dhëna të reja.

Në momentin e parë, agjentët e policisë pandehën se agresori ishte i pajisur me një jelek ekzploziv, por më pas rezultoi se ai kishte nën bluzë një vizatim të flamurit të ISIS.

Mediat franceze raportojnë se në vizatim kishte edhe një mesazh në gjuhën arabe, ku mbështetësi i Shtetit Islamik i shprehte besnikëri udhëheqësit të ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi.

Parisi është një nga kryeqytetet më të kërcënuara europiane, ndërkohë që e gjithë Franca ndodhet ende në gjendjen 3 mujore të emergjencës, e shpallur nga Presidenti François Hollande, pas masakrës së 13 Nëntorit.

Tv Klan