Në kuadër të operacionit policor të koduar “Transportuesi 4” janë arrestuar 2 persona, të cilët transportuan 1 armë zjarri nga Kosova me qëllim shitjen e saj te persona të tjerë në Tiranë. Konkretisht janë arrestuar në rrugën “Dritan Hoxha” në Tiranë 2 të rinj 19-vjeçarë, banues në Kosovë.

“Si rezultat i tij, në rrugën “Dritan Hoxha”, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: R. F., 19 vjeç, banues në Vushtri, Kosovë, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë”, njofton policia.

Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin qarkullonin të rinjtë, shërbimet e Policisë gjetën të fshehur një armë zjarri pistoletë, me krëhër e municion luftarak, dhe një silenciator, që ishin sjellë në Shqipëri për t’u shitur tek persona të tjerë.

Arma e zjarrit, krëhri, municioni luftarak, silenciatori, automjeti dhe një aparat celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./tvklan.al