“Stop” është ndalur në Lushnje, për një problem mes një ndërtuesi dhe një qytetari. Ari Toshkezi ka probleme me Asllan Topullin, pasi ky i fundit kërkon tokë, më shumë nga sa i takon. Për më tepër, Asllani ka falsifikuar atësinë dhe tre shkallët e gjyqësorit nuk e kanë “konstatuar” këtë.

Gjyqtarja e Lushnjes, Saimira Hila e ka ditur këtë fakt, por i ka dhënë të drejtën Asllan Sybi Topullit, ndërkohë që gjeneralitetet e sakta zyrtare janë Asllan Ali Topulli.

Prokuroria e rrethit ka nisur një hetim për këtë rast. Vetë Asllan Topulli e pranon që nuk është djali i Sybiut, por i Aliut. Por sipas tij, nuk ka asgjë të keqe, pasi Sybiun e ka patur “baba shpirtëror”.

“Jam administratori i firmës dhe kam bërë një kompleks me marrëveshje me Topollarët ku janë 13 pjesëtarë. Unë kam pasur probleme me një pjesëtar të këtij trualli, që quhet Asllan Topulli, që e kam pasur 10 vjet inxhinierin e firmës. Dhe duke bërë një marrëveshje të tillë, krijuam një besim tek njëri-tjetri duke punuar, prej kaq kohësh dhe bëmë një akt-marrëveshje dhe shumë gjëra i lamë në besim të njëri-tjetrin. Në një moment filloi një konflikt gjyqësor”,

tregon administratori i firmës ndërtuese.

Çfarë pretendon Asllan Topulli?

“Me Asllan Topullin ne kemi bërë një kontratë me 40 përqind, ku me të tjerët e kemi bërë 20 përqind, të lejes së ndërtimit. Me Asllan Topullin filluan problemet me pjesën 40 përqind të lejes apo 40 përqind të truallit. Kam pasur një marrëveshje. Nuk u realizua sepse kërkonte tejmase tepër. Atëherë nuk kisha interes. U detyrova e preva pjesën e pallatit dhe mora një leje kundrejt rregullave të gjitha, me lejen e banorëve të pallatit”.

Cila është ekzaktësisht problematika?

Kemi të bëjmë në total me 4 seksione, A, B, C dhe D, të kompleksit të pallateve. Konflikti që lindi mes Asllan Topullit dhe firmës së ndërtimit është sepse Topulli pretendon se ka pronësi në seksionin D, ndërkohë që kontratat mes firmës së ndërtimit dhe banorëve që kanë jetuar në një pallat 3 katësh dhe kanë përfituar këtë pasuri si rrjedhojë e privatizimit, tregon se Topulli nuk ka të drejtë të marrë pjesë në seksionit D.

Pretendimi i tij është se që trashëgimtar i familjes Topulli dhe sigurisht duhet të marrë pjesën takuese edhe në seksionin D.

Por si ndahet prona e familjes Topulli?

Gazetari i Stop shpjegon se pikërisht aty ku ndahen 2 seksionet, A dhe D, familja Topulli e ka pronën nga mesi i korridorit ndarës në seksionin A, ndërsa gjysma tjetër që mbetet i takon banorëve që kanë jetuar më parë në pallatin 3 katësh.

Krahas të tjerave, Asllan Topulli ka përdorur edhe atësinë e rreme, pra një herë na shfaqet në procese gjyqësore si i biri i Aliut dhe një herë tjetër si i biri si Sybiut.

Gjykata, edhe pse ka qenë e informuar me këtë fakt, falsifikimin e atësisë, ka vazhduar proceset dhe i ka dhënë gjithmonë të drejtë Topullit dhe si rrjedhojë është bllokuar i gjithë seksioni D. Të gjithë qytetarët që kanë blerë në këtë seksion nuk marrin dot hipotekat, gjithçka për shkak të problemit 3-vjeçar midis Asllan Topullit dhe firmës së ndërtimit.

Në fakt Asllan Topulli është i biri i Ali Topullit dhe jo i Sybi Topit dhe të gjitha proceset që janë bërë mbi këtë konflikt, janë bërë në emër të Asllan Sybi Topullit. Kjo tregon që këto procese kanë qenë fiktive dhe jo të sakta.

“Asllan Topulli ka falsifikuar letrat, ka falsifikuar trashëgiminë. Asllani njëherë del i biri i Aliut, njëherë i Sybiut. Zoti Asllan që pretendon dhe shprehet në mes të gjykatës një e kam baba shpirtëror dhe një e kam biologjik. Edhe gjykata tani nuk të jep një drejtim që ka baba realisht Aliun apo Sybiun. Saimira Hila vendosi çështjen në vazhdim sepse ne kërkuam një pezullim se ne jemi në prokurori dhe presim të reja nga prokuroria. Kjo gjyqtare vazhdon”,

shpjegon më tej administratori i firmës.

Faktin që çështja duhet të ishte pezulluar në gjykatë sa kohë kishte nisur një hetim nga prokuroria e konfirmon edhe Kancelari i Gjykatës së Lushnjes.

Gazetari-Në lidhje me një çështje, janë gjykuar këtu disa kërkesë-padi në disa procese në lidhje me një zotëri, i cili quhet Asllan Topulli dhe që ka falsifikuar atësinë. Ka bërë disa procese këtu, ku mban atësinë tjetër, ndërkohë ne e kemi verifikuar, madje dhe në disa kërkesë-padi, që bën…

Kancelari Gjykata Lushnje-Ky ka dhe çështje penale…

Një shkallë e rrëzon, një shkallë më lart…

Gazetari-E kuptoj, po ideja është, pse të shkojë kështu? Pse të ngelet tek Apeli, kur mund të bëhet një proces i rregullt. Sepse s’mund të heqim përgjegjësinë me Apelin dhe Gjykatën e Lartë.

Kancelari Gjykata Lushnje-Ajo e tha vendimin, e mbajti përgjegjësinë e vet. Faktet, provat i kishte gjyqtari, s’mund të them…

Gazetari-Po këto, që ka bërë gjithë ato procese, me atësinë e falsifikuar, ndikon diçka? Si mund të bëhet? Çfarë procedure keni të brendshme, si konstatohet?

Kancelari Gjykata Lushnje- Tani, n.q.s ky person,… ai mund të bënte kallëzim në prokurori, lidhur me këtë. Sa të shprehej prokuroria, ligjërisht ky gjyq pezullohet. Para sa ka…, para një jave kërkoi prokuroria kopje të dosjes së kësaj, që u mbyll dhe një tjetre që është në proces.

Gazetari i Stop takoi edhe vetë Asllan Topullin…

Stop-Tani pala tjetër pretendon që ju keni falsifikuar atësinë keni një baba shpirtëror, që është xhaxhai juaj. Si qëndron e vërteta e këtij fakti, po them? Më kupton? Sepse në gjykatë, me sa kërkova unë, në disa kërkesa, ju kishit bërë sikur ishit djali i Sybi Topullit.

Asllan Ali Topulli-Unë jam Asllan Topulli. Babai im ka pasur 3 vëllezër. Vëllai i madh quhej Sybi, vëllai i dytë quhet Enver dhe babai im Aliu. Se ai ka bërë kallëzim penal.. .mua më rruajnë leshtë, s’kanë, çfarë më bëjnë…

Stopi-Për çfarë e ka bërë?

Asllan Ali Topulli-Po ja, nuk është i këtij, po është i atij.

Stopi-Dëgjo! Kur je në gjyq, në seancën e parë, të pyet gjyqtarja: emër, atësia?

Asllan Ali Topulli-Dëgjo! Nuk kërkohet atësia, se vetë karta karta e identitetit nuk ka atësi…

Stopi-Jo, unë ngaqë kam qenë në procese dhe mua më kanë pyetur p.sh, emrin, i babait, i nënës, i martuar, je në ndjekje penale shkruhen ato…

Asllan Ali Topulli-Kur të pyet po, por kur s’të pyet, nuk duhet t’i kesh!

Stopi-Po duhet të të pyesë normalisht! Nga Apeli i Vlorës ka ardhur prap me atësi Sybi këtu tek kjo? (Gjyqtarja e Lushnjes Saimira Hila)

Asllan Ali Topulli- Po s’ka gjë! Nuk është gjë!

Tre vjet, o vëlla procesi, nga 5 milionë në vit të paktën i thonë 53 milionë unë kam marrë borxh…, këtu bëj diçka si çudi, sepse 3+5—bëjnë 15 dhe jo 53 milionë…

Ore dëgjo! Unë i kam hyrë detit me këmbë edhe me kokë. Kupton? Tani ky vendimi i Apelit, vendi i Lushnjes, do shkojë në Apelin Vlorë. Apeli Vlorës i rruan leshtë, nuk e shpërbën dot, po unë kam marrë ato, që më ka dhënë Apeli i Vlorës. Është çështje e gjykuar…

Stopi-Mos kapen me këtë Sybi-Ali?

Asllan Ali Topulli-Ia kam gjetur të gjitha, nuk…

Stopi-E ke kopsit…?

Por Juristi Çlirim Gjata shpjegon se nëse vërtetë atësia ka qenë e falsifikuar, atëherë asnjë vendim i marrë nga gjykata nuk është e vlefshme.

“Nëse ai me vetëdije ka falsifikuar atësinë për të përfituar diçka që nuk i takon, pra që nuk do ta përfitonte po të mos e falsifikonte këtë atësi, atëherë gjithçka është e pavlefshme. Çfarë ka rrjedhur nga krijimi i kësaj atësie, nga falsifikimi i kësaj atësie të paqenë, gjithçka është pavlefshme. Marrja e pronave, lidhja e kontratave, etj”,

shpjegon juristi Çlirim Gjata.

/tvklan.al