Klubi anglez vendosi të ndërpresë kontaktet me sulmuesin, pasi tifozët e akuzuan si racist

Manchester United është tërhequr nga gara për të firmosur me Marko Arnautoviçin.

Klubi anglez kishte bërë një ofertë prej 7.6 mln Paundësh për sulmuesin austriak, që u refuzua nga Bolonja.

Klubi italian kërkon një shifër më të lartë për 33-vjeçarin, nërkohë që të shumtë ishin fansat që kundërshtuan afrimin e një futbollisti që e quajtën racist.

Ish-lojtari i Uest Hemit u gjobit nga UEFA pasi ofendoi shqiptaro-maqedonasin Ezgjan Alioski në takimin e Euro 2020, që përfundoi 3-1 në favor të Austrisë. Pasi realizoi golin e tretë, Arnautoviç bëri ofendime anti-shqiptare ndaj Alioskit.

Sulmuesi, i ati i të cilit është serb, kërkoi falje për veprimin dhe e bëri të qartë se ai nuk është racist. Nisur nga kjo ngjarje, janë të shumtë tifozët e United që e quajnë të papranueshme që fanellën e ekipit ta veshë një futbollist i tillë.

Arnautoviç tërhoqi vëmendjen e “Djajve të kuq” pasi shënoi 14 gola në 33 takime sezonin e shkuar në Serinë A.

Klan News