Qytetarëve u rekomandohet të kontaktojnë mjekun e familjes para injektimit të dozës

Procesi i vaksinimit tashmë ka zbritur edhe tek grupmoshat nga 60-69 vjeç, ndaj tek sheshi “Skënderbej” pati interes të madh të qytetarëve të kësaj kategorie.

Të moshuarit që morën dozën e parë të Sinovac thonë se procesi shkoi shumë mirë.

“Unë jam 66 vjeç, erdha me shumë dëshirë dhe e bëra. Shkëlyeshëm. Më mirë me vaksinë se sa pa vaksinë. Pastaj çfarë kemi prej zotit do ta presim”, shprehen disa qytetarë.

Për vaksinën anti-covid prioritet tek 60-65-vjeçarët kanë ata që janë me sëmundje kronike, ndaj duhet konsultë paraprake me mjekun e familjes.

“Kjo hapje do të bëhet në mënyrë graduale sipas referimeve dhe prioriteteve të përcaktuara nga mjekët e familjes, nisur nga sëmundshmëria kronike që pacientët e tyre paraqesin”, tha Blerta Berberi, drejtore e Qendrës Shëndetësore 8.

Sipas mjekëve qytetarët që kanë alergji të ndryshme nuk rekomandohet ta marrin vaksinën.

“Nuk rekomandohet bërja e vaksinas tek personat që janë alergjikë ndaj medikamenteve, ushqimeve të ndryshme, apo nga përbërësit e vaksinës”, u shpreh Berberi.

Për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë pamundësi për t’u vaksinuar pranë qendrave përkatëse, prej ditësh imunizimi ofrohet edhe në banesa.

“Për pacientë, të cilët për shkak të sëmundjeve të tyre të rënda e kanë absolutisht të pamundur të paraqiten në qendrat shëndetësore apo në pikat e tjera të vaksinimit”, theksoi ajo.

Me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave shumë shpejt, pjesë e procesit të imunizimit do të jenë edhe kategori të tjera të popullatës.

Klan News