Çdo ditë humbasin jetën 3-5% e të shtruarve. 50 % e hospitalizimeve nga Tirana dhe Fieri

Pavarësisht se shtrimet ne spitalet Covid janë relativisht të ulta dhe variojnë nga 130-150 pacientë, vdekjet mbeten të larta. Sipas të dhënave të Minsitrisë së Shëndetësisë, gjatë një dite humbasin jetën 3% deri në 5% e pacientëve të shtruar.

Gjatë 28 ditëve të para të Janarit kanë ndërruar jetë 111 pacientë si pasojë e infektimit nga Covid-19. Një shifër e lartë viktimash duke patur parasysh shtrimet në spital, dhe faktin se mbi 95% e të infektuarve në vend janë me variantin Omicron.

Por sipas bluzave të bardha, shkaktar për këtë situatë është ardhja me vonesë në spital dhe sidomos kurimi i gabuar në banesë për më shumë se 10 ditë.

Numrin më të lartë të të shtruarve në dy spitalet Covid e zënë pacientët nga Tirana, të cilët përbëjnë 32% të tyre. Ndërkohë që referuar rasteve aktive, të hospitalizuarit përbëjnë vetëm 0.4% pasi Tirana ka mbi 10 mijë të infektuar aktivë dhe 40 të shtruar. Ndërkohë që 16.8% e pacientëve të shtruar janë nga Fieri. 9.6% janë nga Vlora dhe më pas renditet Durrësi me Elbasanin me të njëjtin numër të shtruarish që përbëjnë 8% të totalit të të shtruarve. Më pak të shtruar në spital ka Dibra dhe Kukësi, por këto janë edhe dy qarqet që kanë më pak të infektuar aktivë.

Klan News