Kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, fundjava e ka gjetur në Itali ku ka zhvilluar disa vizita zyrtare në Verona dhe Viçenzes.  Nga Verona, Veliaj ndau disa lajme të mira për qytetarët e Tiranës, lidhur me shërbimin e pastrimit të qytetit, e jo vetëm.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Ndërmarrja jonë e përbashkët ‘Eco Tirana’, një partneritet publik-publik mes Tiranës, Veronës dhe Viçencës, do të zgjerojë shërbimet e saj. Siç vendosi Këshilli Bashkiak, Eco Tirana do të marrë në administrim të gjithë territorin e Tiranës metropolitane, duke future në shërbim nga 200 mijë banorë çdo 2-3 muaj.

Kryebashkiaku tha se një tjetër shërbim që duhet shtuar në Tiranë lidhet me krijimin e ishujve ekologjikë, ku qytetarët që kanë për të hequr elektroshtëpiake apo mobilje, t’i çojnë në vendin e përcaktuar.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Mungon një shërbim si ato ishujt ekologjik që ne kemi parë këtu në Verona ku qytetarët mund të vijnë edhe të sjellin elektroshtëpiake të vjetra dhe duam të ofrojmë një shërbim të ri, ku qytetarët të sjellin produkte që nuk mund të futen në kazanët e rregullt të mbetjeve. Duam të shtojmë gjithashtu edhe disa shërbime të tjera, se si mund të përdorim edhe ujin e Bovillës, por edhe tarracat e qytetit, për të prodhuar më shumë energji.

Pas takimit me Veliajn, kryetari i Bashkisë së Veronës, Damiano Tommasi, foli për zgjerimin e bashkëpunimit mes Veronës, Viçencës dhe Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Viçencës, Giacomo Possamai tha se partneriteti mes tre qyteteve, Veronës, Viçencës dhe Tiranës është një mesazh i fortë për integrimin.

Klan News