Në prag të sezonit turistik dhe kur vendi ynë pret një boom turistësh edhe për shkak të përmirësimit të situatës së Covid-19, Vlora duket më kaotike se kurrë.

Një pensionist italian, që prej më shumë se një viti jeton në Vlorë, tregon problematikën, duke dhënë edhe shembuj se edhe kur bashkia zgjidh ndonjë problem, ai mbetet gjysmak dhe vetëm në sipërfaqe.

“Përshëndetje, jam një pensionist Italian që prej një viti e gjysmë jetoj në Vlorë. Doja të sinjalizoja duke qenë se jetoj tek ky pallati, që duket këtu përballë, dua të sinjalizoj, që këto ditë ka patur një shpërthim të ujërave, që për të qenë i sinqertë brenda pak ditëve e rregulluan, vetëm se nuk e kanë rregulluar nivelin e tokës aty dhe si pasojë, gjithmonë këto janë disa supozime të mia, ose përshtypje, le t’i quajmë kështu, kur të rritet bari aty, jo vetëm për një çështje estetike, që e kanë lënë të gjatë dhe të pa rregulluar, por sidomos për fëmijët, që vijnë për të luajtur, nga bari shumë i gjatë, nuk dallohet gropa dhe kështu mund të krijojë probleme me sigurinë e fëmijëve, doja të thoja vetëm këtë”, tha ai.

Dhe jo vetëm kaq, por duket se Vlora është në mëshirë të fatit. Rrugë të pashtruara e plehra është ajo, që ofron qyteti bregdetar. /tvklan.al