U zhvillua mes zhurmës dhe kaosit edhe kjo seancë parlamentare. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha në një prononcim për mediat se ditën e sotme nuk kishte kuorum, por seanca u zhvillua për të miratuar ligjin për investime strategjike.

“Deklarohet që janë prezentë 68 deputetë dhe kjo nuk e ndal vrullin e drejtueses së seancës për të miratuar ligjin për investime strategjike”, tha Bardhi.

Ai hodhi akuza ndaj nënkryetares së parlamentit, Ermonela Felaj, që sot ishte në drejtimin e seancës duke u shprehur se ligji për investimet i shërben oligarkëve dhe disa grupeve kriminale.

“Sot në drejtimin e seancës ishte përfaqësuesja e 5 oligarkëve që përfitojnë nga ligji dhe 3 grupeve kriminale që përfitojnë po ashtu nga ligji për investimet strategjike”, tha Bardhi.

Ai deklaroi ndër të tjera se aktet ligjore që kaluan sot nuk konsiderohen të miratuara ligjërisht.  

“Dua të deklaroj që sipas rregullores dhe Kushtetutës së Kuvendit sot asnjë nga aktet ligjore që kaloi në seancë pa u shpallur dhe rezultati i votimit nuk mund të konsiderohet i miratuar ligjërisht”, tha Bardhi.

I pyetur edhe për situatën brenda partisë, Bardhi tha se synimi është që të forcohet partia dhe të bëhet gati për zgjedhje për ta nxjerrë fituese./tvklan.al