Policia arreston autorin e krimit

Një grindje për rakinë përfundoi me 1 të vrarë dhe djalin e tij të plagosur në fshatin Fier i ri në Lushnje. Ngjarja ndodhi në mesnatë kur pronari i lokalit Rako Qorri është konfliktuar fizikisht me njërin nga klientët, Sofokli Shani, 57 vjeç.

Pas sherrit ky i fundit ka shkuar në shtëpinë e tij ku ka marrë një armë kallashnikov të cilën e mbante pa leje. Sapo ka hyrë në lokal ka hapur zjarr ndaj 62-vjeçarit i cili ka humbur jetën në vend.

Nga plumbat është plagosur edhe djali i viktimës Kejdi Qorri, 31 vjeç që ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në Tiranë. Policia vuri në pranga autorin pas ngjarjes dhe sekuestroi armën e tij.

Në vendin e krimit shkuan forcat speciale dhe policia e Lushnjes. Të parët që u pyetën ishin dëshmitarët të cilët thanë se sherri nisi për motive banale, por përfundoi në tragjedi.

“Vinin pinin këtu, më shumë s’dimë”.

Autori i krimit, Sofokli Shani ka qenë i dënuar edhe në të kaluarën për vrasje. Mësohet se përpara viteve ‘90, në moshën 17-vjeçare ka vrarë me thikë shokun e tij të ngushte dhe ka kryer 15 vite burg.

Tv Klan