Një gazetar investigativ sllovak është gjetur i vrarë në shtëpinë e tij, sëbashku me të dashurën, një krim që sipas policisë ka lidhje me detyrën e tij. Trupat e gazetarit 27-vjeçar Jan Kuciak dhe partneres së tij u gjetën të pajetë mbrëmjen e të dielës në shtëpinë e tyre në një qytezë rreth 50 kilometra në lindje të Bratisllavës.

Në Sllovaki, Kuciak është i njohur për shkrimet investigative ku vazhdimisht ka zbuluar rastet e shmangies së taksave dhe korrupsionit nga zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të fuqishëm vendas. Kohët e fundit ai po kryente hetime ndaj biznesmenit Marian Kocner, i cili me fondet e kompanive të tij kishte regjistruar blerjen e disa apartamenteve luksoze të ndërtuara po nga firmat që kishte në pronësi.

Hetuesit thanë se biznesmeni sllovak e kishte kërcënuar gazetarin në një rast se do i publikonte të dhëna që nuk do i pëlqenin. Ndaj dhe Kuciak e kishte denoncuar. Megjithatë, sipas policisë është ende herët të thuhet nëse vrasja ka lidhje me këtë rast. Shkrimet investigative i publikonte në portalin e tij në internet.

Kryeministri Robert Fico e konsideroi rastin si sulm ndaj fjalës së lirë dhe kërkoi vënien sa më shpejtë të autorëve përpara drejtësisë.

Tv Klan