Bankat tregtare nuk shfaqën ndryshime në kuadrin e politikave të kreditimit  për bizneset dhe në tremujorin e parë të vitit 2024, duke reflektuar kushte dhe terma të pandryshuara, për të katërtin tremujor me radhë.

Këto janë gjetjet e Bankës së Shqipërisë në raportin e fundit të Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues ku evidentohet fakti se bankat vijojnë të mbeten të kujdesshme në vlerësimin e rrezikut që ato perceptojnë mbi situatën makroekonomike.

Në linjë me pritjet e mëparshme, kërkesa për kredi e bizneseve u raportua më e lartë gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta në financimin e investimeve dhe të inventarëve të kapitalit qarkullues, si edhe në rifinancimin e kredive ekzistuese. Po ashtu, besimi i biznesit u raportua si faktor që mbështeti zgjerimin e kërkesës për kredi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kërkesa për kredi e bizneseve pritet të vijojë e lartë edhe në tremujorin e dytë të vitit, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në mbulimin e nevojave për likuiditete. Edhe në terma të madhësisë së biznesit, kërkesa për kredi pritet të jetë e lartë, si në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në segmentin e biznesit të madh.

Ndryshe rezultuan standardet e kreditimit për individët që u shtrënguan disi në tremujorin e parë të 2024. Shtrëngimi i tyre u aplikua vetëm në kreditë në blerjen e banesave, e ndikuar nga një bankë e vetme e sistemit. Nga ana tjetër, standardet e kreditimit u lehtësuan në kreditë konsumatore.

Shtrëngimi i standardeve u bazua në perceptimin e bankave mbi zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave dhe mbi ambientin e normave të interesit.

Klan News