Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit ka folur Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Fjalën e tij ai e nisi me serbët që jetojnë në veri të Kosovës, duke theksuar se ata po persekutohen vazhdimisht. Sipas Presidentit serb, UMNIK nuk paraqet raporte të sakta sa i takon situatës në terren.


“Serbët në veri po jetojnë në kushte jo normale, po persekutohen. Presim nga UMNIK që t’i rregullojë këto raporte, të dorëzojë raporte të sakta për gjendjen në terren. Në raport mungojnë detaje për masat konkrete që ka marrë Këshilli i Sigurisë. Duhet ndalur persekutimi me bazë etnike.”

Ai shtoi se Beogradi e dënon sulmin në Banjska, por nga ana tjetër ajo ngjarje s’mund të përdoret si alibi për të “ushtruar dhunë verbale ndaj serbëve në veri”.

“8 herë është përmendur në raport rasti Banjska. Serbia dënon sulmet në Banjska dhe nuk lejon që kjo tragjedi të përdoret si alibi për të persekutuar serbët. Një vit para këtij eventi, ka pasur sulme të regjimit shovinist të Kurtit. Sistematikisht janë shkelur të drejtat e serbëve dhe janë organizuar zgjedhje të turpshme. Serbët përbëjnë 95% të popullatës atje, ka pasur mungesë të plotë legjitimiteti. Forcat Speciale të Kosovës kanë ushtruar një dhunë brutale ndaj serbëve atje dhe në vend se të dënohet regjimi i Kurtit, Prishtina vazhdon moslejimin e punës së autoriteteve në veri.“

Teksa u ndal te zgjedhjet e komunave me shumicë serbe, foli për një proces të turpshëm e të manipuluar nga qeveria e Kurtit.

“Fushata e intimidimit dhe kërcënimeve është bërë që serbët të mos votojnë, është bërë me përkrahjen e autoriteteve, tanimë vendimi për të bojkotuar referendumin është i kuptueshëm. Në vend që Albin Kurti të sanksionohet, ai vetëm po shpërblehet.”

Kreu i shtetit serb raportoi një rast konkret ku sipas tij Forcat Speciale të Kosovës kanë burgosur në mënyrë të padrejtë një serb në Zveçan.

“Më 14 Prill Forcat Speciale kanë arrestuar një serb nga Zveçani të cilin e kanë plagosur në mënyrë të paligjshme, ai mezi u mbijetoi këtyre gjuajtjeve, është arrestuar dhe mbahet për shkelje të rendit kushtetues të shtetit të rrejshëm të quajtur Kosovë. Ai s’ka bërë asnjë shkelje, ai është keqtrajtuar fizikisht kur është dërguar në Podujevë.”

Bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të serbëve të burgosur politikisht dhe u bëri apel ndërkombëtarëve që të mos “lejojnë krimet kundër një popullate”.

“Kemi miratuar disa herë ligjin e amnistisë, kur flasim për rendin e ligjin, armiku më i madh nuk është Beogradi, por regjimi i Kurtit, është fakt i vërtetueshëm. Kombet e Bashkuara nuk mund të lejojnë krime kundër një popullate, sepse shkelen vetë parimet e Kombeve të Bashkuara. Të fuqizohet autoriteti dhe të gjykohen krimet kundër serbëve.”

Megjithatë, Vuçiç u shpreh se e vetmja mënyrë paqësore për të zgjidhur të gjitha këto probleme është dialogu Prishtinë-Beograd.

E.D/tvklan.al