Trajneri francez deklaron se 99% e personazheve të botës së futbollit janë pro ndryshimeve në sport

Arsen Wenger deklaroi se 99% e njerëzve të futbollit me të cilët ai ka folur, dëshirojnë ndryshime në këtë sport.

Francezi po punon që të sjellë ndryshime rrënjësore në futboll, duke përfshirë edhe zhvillimin e Kupës së Botës çdo dy vite.

Ish-trajneri i Arsenalit po drejton një projekt në bazë të të cilit kalendari ndërkombëtar do të ndryshohet, në mënyrë që të ulet numri i datave për kombëtaret në një sezon.

Nga viti 2024, hapësira kohore për takimet e kombëtareve në Tetor dhe Mars do të jenë më të gjata. Në këto periudha do të zhvillohen takimet kualifikuese për Kupën e Botës ose europianin, por jo miqësore.

“Nga 100 pesonazhe të botës së futbollit që u konsultuam, 99% duan ndryshim. Shikojmë rezultatet në sondazhet tona, ku të rinjtë janë në favor të një botërori çdo dy vite, kurse brezi mbi 50 vjeç është kundër. Ka ndasi në mënyrën se si zhvillimi shihet. Ky vit ofroi shembull të mirë. Europiani në Angli, pastaj Liga e Kombeve në Itali dhe vitin tjetër Kupa e Botës, që po pritet me padurim. Asnjë nuk tha se ne nuk e duam Kupën e Botës, sepse patëm europianin këtë vit. Nuk kemi pse frikësohemi”.

Wenger mban detyrën e shefit të Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA.

Francezi 72-vjeçar shtoi se trajnerët e klubve do të përfitonin, pasi futbollistët e tyre nuk do të kalonin shumë kohë duke fluturuar për takimet me kombëtaret, ndërsa trajnerët e përfaqësueseve do të kishin mundësinë që të punonin më shumë me lojtarët e tyre.

Koha që harxhojnë futbollistët duke udhëtuar për angazhimet me kombëtaren do të ulet me 50%.

Klan News