ZONE E LIRE – EMISIONI 645

ZONE E LIRE – EMISIONI 645

03:15 26/01/2019

Besa Shahini – Besa e re e Arsimit!

Çështja e arsimit vijon të jetë tema më e nxehtë në vendin tonë. Ndaj edhe sot, në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, përballë gazetarit Arian Çani ishte e ftuar Ministria e re e Arsimit, Besa Shahini.

Duke qenë se ka vetëm pak ditë që ka ardhur në krye të Ministrisë së Arsimit, pyetja e parë me të cilën gazetari iu drejtua Ministres ishte se “kush ia dha lajmin që do të merrte atë detyrë”. Ministrja e re tha se ishte në mbledhjen e Partisë Socialiste kur mori lajmin.

Arian Çani: Si e more lajmin e emërimit në këtë post, sepse ti ke qenë Zv/Ministre, ku ishe në atë moment?

Besa Shahini: Për mua nuk ishte e papritur, sepse kur je në pozicionin e Zv/Ministrit, një ditë mund ta zëvendësosh atë. Studentët nuk e kërkuan dorëheqjen e Ministres Nikolla.

Arian Çani: Atëherë Rama e hoqi kot?

Besa Shahini: Ai ka bërë një ndryshim në qeveri dhe Lindita nuk u hoq për shkak të protestës. Ndryshimet në qeveri janë bërë për shkak të një pakënaqësie që u shfaq edhe përmes protestës.

Arian Çani: Perceptimi në publik është që u bë shkak Lindita për këto ndryshime në qeveri, ose Damian Gjiknuri, pas asaj aferës. Por dua të të pyes, ku ishe kur more lajmin?

Besa Shahini: Në mbledhjen e PS.

Arian Çani: Ku ishe dhe kush ta tha?

Besa Shahini: Nuk e kuptoj, pse është kjo temë e emisionit të sotëm…

Arian Çani: Thashë ta relaksonim pak bisedën. Rama të kishte thënë, ti e dije para se të bëhej mbledhja?

Besa Shahini: Unë nuk e dija që do të zëvendësohej Lindita.

Arian Çani: Lindita u mërzit shumë?

Besa Shahini: Ajo ishte e shqetësuar, por jo për largimin.

Arian Çani: Për shkak të largimit më intereson mua?

Besa Shahini: Jo, jo.

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka rrëfyer këtë të premte në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan njohjet me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj dhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, përpara se t’i futej politikës në Shqipëri.

Shahini tha se ka qenë në shkollë të mesme në Kanada me Spiropalin dhe se ka punuar për vite me radhë me Veliajn.

E pyetur nëse ka qenë Veliaj apo Spiropali që e kanë propozuar te Kryeministri Edi Rama për të qenë ministre, Shahini tha se nuk ka informacion lidhur me këtë.

Arian Çani: Nëse Gent Caka ishte propozim i Baton Haxhiut, ti propozim i kujt ishe të Edi Rama?

Besa Shahini: Ti e ke patur Kryeministrin në emision, përse nuk e pyete? Këto janë vendime të tij. Nuk e di kush më ka propozuar. Unë di të them që për punën që kam bërë kam bashkëpunuar me Erion Veliajn, kemi qenë në një organizatë bashkë. Me Elesia Spiropalin kam qenë në shkollë të mesme në Kanada. Kam bashkëpunuar me shumë njerëz që sot janë deputetë.

Arian Çani: Ke qenë shoqe me Erionin?

Besa Shahini: Kam qenë shoqe me Elisa Spiropalin dhe kemi qenë shokë pune me Erionin. Nuk janë të vetmet kontakte, por janë dy më kryesoret që po t’i marr shembull. Në 2013 kam punuar në Shqipëri kur janë fituar zgjedhjet. Në atë kohë shkruanim raporte që të mund të informonim publikun në shtete të ndryshme në Europë.

Arian Çani: Nuk je rastësisht në këtë pozicion… Je në fushën e Veliajt, ai të ka propozuar?

Besa Shahini: Nuk e di. Janë çështje që i di Kryeministri më së miri, janë vendime të tij.

Arian Çani: Ti nuk je zgjedhur nga hiçi, nuk je një njeri kot, por le ta themi sot që edhe ti je pjesë e Sorosit. Sepse Erion Veliaj, Elisa etj., janë pjesë e Sorosit. S’po them ndonjë gjë të keqe, se Sorosi është qeveria paralele e Amerikës. Pra le ta themi Besa, po të mos ishe pjesë e këtij sekti ti nuk do të ishe sot këtu ku je? Është logjike kjo që po them?

Besa Shahini: Unë do thosha që jam për shkak të eksperiencës time në fushën e arsimit.

Arian Çani: Ka shumë të tjerë të aftë si puna jote, por nuk kanë këtë që ke ti dhe s’mund të jenë ministra.

Besa Shahini: Ke të drejtë të bësh çfarëdolloj analize të duash. Analiza jote është e drejta jote.

Arian Çani: Rama nuk e ka mohuar asnjëherë, Veliaj bëri dasmë dhe ai ishte i ftuar. Pjesë e këtij grupi je dhe ti? S’mund të më thuash sot jo…

Besa Shahini: Ok, nuk e di.

Asambleja e Fakulteteve pas mbledhjes së kësaj të Premteje paralajmëroi pezullim të procesit mësimor dhe përshkallëzim të protestës nëse qeveria nuk u përgjigjet kërkesave të studentëve të Universitetit të Tiranës për anulimin e Ligjit të Arsimit të Lartë dhe VKM-të e miratuara në Dhjetor.

E ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini, iu përgjigj paralajmërimit të pedagogëve duke thënë se ligji nuk mund të rrëzohet brenda javës. Teksa shtoi se pedagogët nuk kanë bërë kërkesë që të rrëzohet ligji, pohoi se është e hapur që ai të rishikohet nëse shkakton probleme.

Arian Çani: Janë mbledhur shumë pedagogë dhe studentë dhe nëse nuk bie ligji për një javë do përshkallëzojnë protestën.

Besa Shahini: Ata janë njerëz të mençur dhe e dinë që ky ligj nuk rrëzohet për një javë. Minimumi zgjat dy vjet që të kalojë në të gjitha hallkat. Ata nuk kanë bërë kërkesë që të rrëzohet ligji. Jam e bindur se ata dinë më shumë se kaq, nuk rrëzohet ligji për një javë.

Arian Çani: Ti je e hapur që ligji të rishikohet?

Besa Shahini: Që të fillohet diskutimi, absolutisht. Nëse bindemi se ligji shkakton probleme mund ta rishohim.

Shkelqimi dhe renja e nje proteste studentore!

Silvana Rusi vjen si ” Kriminele”!

Hagan Sotiroglu – Je shtatzene? Sonte doktor hakani!

Teater – “Mbreteresha e bukurise” ngjitet ne skene!

Klinton Koci – po ti kush je? Sjell nga Parma dy histori me muzike!

Të ngjashme
UKT