Programi “Historia ime”, në TV Klan solli ditën e sotme rastin e një 43-vjeçari. Ai në studio ka rrëfyer se pas 18 vitesh martesë është ndarë nga bashkeshortja, me të cilën ka dy fëmijë. Por para divorcit ka ndodhur një ngjarje,e cila ka tronditur jetët e tyre.

Shkak është bërë një borxh, që ai i kishte dhënë kunatit në vitin 2016. Ata kishin kërkuar kthimin e borxhit, por familja e gruas e kishte të pamundur që t’ja jepte, prandaj duhet të merrte kredi dhe kërkonin që ai të bëhej garant.

43-vjeçari nuk pranoi dhe si rezultat gruaja e telefonon dhe i thotë që mes tyre ka marrë çdo gjë fund, ndërsa pak më vonë në shtëpinë e tij vjen kunati dhe e gjuan me thikë.

Mirela Milori: Në 2018 ju i kërkuat lekët? Çfarë tha kunati?

Zotëria X: Jo vetëm kunati, por ata domethënë donin të na lanin borxhin, por mënyra e vetme që kishin mundësi ata, ishte që ata të merrnin kredi në bankë. Dhe donin meqë unë isha në një pozicion pune që mund të isha garantor tek banka, për të tërhequr ata një vlerë monetare që ishte mbi shumën e konsiderueshme, thanë futu ti garant. Telefonata e fundit që kam bërë atë ditë me bashkëshorten, që u largua nga shtëpia ishte: Si është puna dhe ku je? Domethënë pyetja ime. Ajo më përgjigjet që çdo gjë ka marrë fund, nuk kemi më punë bashkë. Unë s’po të kuptoj i thashë. Unë nuk e dija që do të ndodhte në po të njëjtën ditë, që unë kam patur kontaktin e fundit me bashkëshorten, do ndodhte ajo që ndodhi, që nuk duhet të ndodhte.

Mirela Milori: Pra kërkuan që borxhin ta shlyenin përmes një kredie, kërkuan të dilje ti garant. Nuk pranove?

Zotëria X: Jo absolutisht, se mendova që nëse ai person, unë nuk do jap detaje, emër mbiemër. Po i njëjti person që është i lirë, që më goditi mua, ka bërë një ngjarje tjetër në 2014, është dënuar nga drejtësia shqiptare dhe është lënë po prapë i lirë.

Mirela Milori: Kjo u mor keq nga familja e gruas tënde?

Zotëria X: Besoj se po.

Mirela Milori: Patët një konflikt verbal para se të arrinit këtu?

Zotëria X: Një konflikt verbal nëpërmjet telefonit, jo vetëm me mua, ish kunati kontaktoi edhe me mamanë time. I thotë në telefon, unë borxhin do ta jap, por do ta gjej unë mënyrën si do ta jap ato lekë.

Mirela Milori: Mbas këtij momenti, dhe mbas telefonatës së fundit me gruan ti shkon në shtëpi, ai vjen dhe të godet me thikë? E çon në polici ngjarjen apo jo?

Zotëria X: Jo ngjarja rrodhi kështu sepse gjatë momentit që jam plagosur nuk kam parë absolutisht asnjë gjë. Më kanë marrë dhe më kanë çuar fqinjët në spitalin e traumës këtu në QSUT, nuk më pranuan se ishin plagët shumë të thella dhe më dërguan tek spitali ushtarak në Tiranë.  Aty mora mjekimin përkatës dhe vjen oficeri i policisë gjyqësore që duhet ta jepja unë. Ja tregoj, por fakti që më bën të dyshoj dhe ndryshoj mendje është sesi ka mundësi që një person niset nga një distancë ku banojnë ata aktualisht, distancë prej 7-8 kilometra. Të vij deri tek banesa ime, të më qëlloj mua dhe personin  që u fut për të ndarë.

Mirela Milori: E ka goditur dhe atë?

Zotëria X: Po u plagos në dorë. Dhe të nesërmen e asaj që për çudi të faktit, dëgjoj që ish-bashkëshortja për të shpëtuar vëllain e vet, që u shpall në kërkim që në momentin unë dhashë deklaratën, ajo shkon tek komisariati numër 1 dhe bën një deklaratë për dhunë në familje, kur nuk kishte asnjë shenjë dhune fizike, as psikologjike, asnjë gjë./tvklan.al