Përfundon në greminë furgoni me pasagjerë

Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga furgoni i linjë Tiranë-Sarandë ku udhëtonin 6 persona, i cili u aksidentua në Qafën e Muzinës. Nga rrëzimi në greminë gjetën vdekjen 5 vetë, mes tyre edhe shoferi i furgonit Bardhyl Proda, personi që shikoni në këtë foto. 4 të tjerë u plagosën, një prej të cilëve rëndë në spital.

Drejtuesi i furgonit është përpjekur të shmangë përplasjen me këtë Land Rover, në rrethana të paqarta, por ka përfunduar në greminë.

Udhëtarët që kanë ndaluar në vendin ku ndodhi aksidenti, kanë qenë të parët që u erdhën në ndihmë të mbijetuarve.

Më pas, zjarrfikësit kanë nxjerrë trupat e pajetë dhe të plagosurit nga mjeti që u deformua totalisht nga përplasja dhe nga rënia nga disa metra lartësi.

Vetëm një nga pasagjerët arriti të shpëtojë. Nxjerrja nga furgoni qe e vështirë edhe për shkak të terrenit.

Land Rover-i drejtohej nga një vajzë 22-vjeçare, Rexhina Çelhaka, e cila ka përfunduar në spital, jashtë rrezikut për jetën. Ajo udhëtonte së bashku me dy persona të tjerë, të cilët kanë marre dëmtime të lehta.

Viktimat janë tre burra dhe dy gra. Veç drejtuesit të mjetit, Bardhyl Proda, janë identifikuar edhe dy të tjerë, Fiqiri Korçari dhe Drita Korçari, burrë e grua, përkatësisht 77 dhe 72 vjeç.

Ndërkohë, policia konfirmoi se kanë humbur jetën edhe Tetiana Fediaieva, 48 vjeçe, banuese në Ukrainë dhe Olesandr Fediaieva, 53 vjeç, edhe ky banues në Ukrainë. Fatmirësisht ka mundur të mbijetojë Greta Daberdini, 25 vjeçe, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet po punojnë për të zbardhur të gjithë dinamikën e aksidentit dhe shkaqet e tij.

Tv Klan