Rusia ka dënuar me 5 vite punë një shtetas të sajin, pasi akuzohet se ka përhapur informacione të rreme e të qëllimshme në lidhje me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, raporton Reuters. 39-vjeçari Yuri Kokhovets u dënua pasi dha mendimin e tij për luftën mes dy vendeve në një vox pop për gazetaren e Radio Evropa e Lirë. Gazetarja në vitin 2022 e pyeti atë nëse mendonte se ishte e nevojshme një kufizim i Rusisë nga vendet e NATO-s.

“Sigurisht që ne kemi nevojë për një de-përshkallëzim, kufizim, por gjithçka varet nga qeveria jonë. Është qeveria jonë ajo që e filloi gjithë këtë. Është Rusia ajo që i krijoi të gjitha këto problem. Nuk shoh ndonjë problem me NATO-n, nuk po planifikon të sulmojë askënd”, tha Kokhovets për REL.

Ai tha gjithashtu se forcat ruse kishin vrarë civilë në periferi të Kievit pa asnjë arsye, në një kohë kur Moska mohon akuzat se ka kryer krime lufte në Ukrainë.

Kokhovets u arrestua fillimisht nga autoritetet për sjellje përçarëse ndaj vendit të tij, dhe më vonë u akuzua sipas ligjeve të censurës që hynë në fuqi gjatë kohës që Rusia nisi pushtimin e saj të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Sipas grupit për të drejtat e njeriut OVD-Info, që nga shkurti 2022, të paktën 19,855 shtetas rusë janë arrestuar për shprehjen e pikëpamjeve të tyre kundër luftës.

Ndërkaq Rusia vazhdon të mbajë në paraburgim gazetaren e REL, amerikano-rusen Alsu Kurmasheva, e cila ndodhet pas hekurave që nga tetori 2023.

Autoritetet ruse e kanë etiketuar në shkurt të këtij viti REL-in si një agjenci të huaj të padëshiruar, kështu që REL tashmë e ka të ndaluar dhe të pamundur të jetë brenda territorit rus dhe të vazhdojë raportimet, në të kundërt do të ketë ndjekje penale./tvklan.al