Problematike në Mirditë, Lezhë, Kukës e Dropull

6 vatra zjarri janë aktive në të gjithë territorin e vendit, por pa rrezikshmëri për njerëz dhe banesa. Gjatë natës janë riaktivizuar dy vatra në fshatin Patalej në Lezhë, por po punohet për shuarjen e flakëve.

Sakaq, zjarri në fshatin Thirrë, në Mirditë është riaktivizuar, duke djegur  sipërfaqe pyjore me shkurre dhe dushqe. Aktualisht vatra vazhdon me intensitet të ulët dhe strukturat janë në ndjekje të situatës.

Në “Majën e Rrunës”, Lakun e  Mollës dhe atë të Dhive, në  Kukës, zjarri vijon të jetë aktiv, por me intensitet të ulët. Ditën e sotme ka filluar përsëri operacioni nga ajri dhe toka, duke mundësuar vënien nën kontroll të situatës.

Edhe në qarkun e Shkodrës në Vermosh e Malësi të Madhe aktive vijojnë të jenë disa vatra. Sipas Prefektes Majlinda Angoni dy vatra janë  aktive edhe në zonën e Pukës, ku rrezikohet kurora e qytetit.

Për mbajtjen nën kontroll të flakëve janë angazhuar rreth 90 punonjës të forcave zjarrfikëse dhe zonave të mbrojtura, si dhe dy helikopterë vijojnë të shuajnë flakët nga ajri.

Një vatër zjarri është aktivizuar edhe në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha në fshatin Mbreshtan, në Kolonjë. Situata është në ndjekje edhe pse zjarri  është shumë larg nga zona e banuar dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

Operacioni nga ajri ka vijuar sot edhe në vatrën e ndezur në një sipërfaqe pyjore me shkurre e pisha, në malin e Tërbunit në Pukë.

Dy vatra aktive zjarri në fshatin Radat  të Dropull vijojnë të jenë edhe sot, në një sipërfaqe pyjore me dushqe dhe shkurre, por me intensitet të ulët. Edhe aty ka filluar sërish operacioni për shuarjen e flakëve.

Tv Klan