A do të kandidonte si deputet i PS? Kadia habit me përgjigjen e tij: Nëse Kryeministri…

A do të kandidonte si deputet i PS? Kadia habit me përgjigjen e tij: Nëse Kryeministri…

22:57 13/11/2020

Besart Kadia është zv/ministri i ri i Ekonomisë dhe Financave. Eksperti i ekonomisë, i cili dikur ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Demokratike, ishte i ftuar mbrëmjen e kësaj të premteje në emisionin Zonë e Lirë, ku u përball me pyetjet e Arian Çanit e Arjan Curit, të cilët u përpoqën të zbulonin më shumë për arsyet që e çuan Kadinë të bëhej pjesë e qeverisë, të cilën publikisht e ka kundërshtuar për politikat e saj ekonomike. Kadia u pyet nëse përveç postit në Ministri, iu ishte ofruar për të qenë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, e madje edhe nëse do të ishte i hapur për të kandiduar për deputet…  

Arjan Curi: Angazhimi juaj me qeverinë është si zyrtar i Alternativës, pra ka një bashkëqeverisje?

Besart Kadia: Jo, jo.

Arjan Curi: Apo ka një ftesë për ju përveç pozicionit tuaj, që ju e quani teknik, por që është totalisht politik sipas meje. Politikat ekonomike janë totalisht politike dhe ekonomia është totalisht politike, pastaj ekonomike. A ju është bërë ftesë përveç detyrës që keni marrë, të bëheni pjesë e PS? Që për mua nuk ka asnjë gjë të keqe.

Besart Kadia: Nuk kam hyrë në pazar të mendoja a do të anëtarësohem apo a do të bashkëpunoj me PS. Nuk më ka vajtur as ndër mend.

Arian Çani: A ta kanë bërë ata ftesën apo jo?

Besart Kadia: Patjetër që jo!

Arian Çani: Po në qoftë se do të ta bëjë Rama propozimin?

Besart Kadia: Unë bashkëpunimin do ta çoj të plotë me kryeministrin Rama edhe në qoftë se ka ndërmend të bashkëpunojë me mua politikisht, në formën e përfaqësimit elektoral, patjetër që po.

Arian Çani: Pra do të kandidosh edhe për deputet?

Besart Kadia: Nëse kryeministri Rama e vlerëson që unë dhe idetë e mia janë të mirëpritura për të, patjetër që po.

Arian Çani: Troç muhabeti, e paske bërë ‘deal’-in (marrëveshjen) me Ramën?

Besart Kadia: Më ka bërë një diskutim jashtëzakonisht korrekt, më pëlqeu respekti që kishte për idetë dhe performancën timë këto kohë dhe për këto arsye, për bashkëpunëtorë që të vlerësojnë për atë që je, patjetër që po!/tvklan.al





Të ngjashme