A janë takuar Albi Nako dhe Klaudia Pepa në Itali? (Video)

A janë takuar Albi Nako dhe Klaudia Pepa në Itali? (Video)

19:05 05/07/2019

Ai është një koreograf shumë i talentuar, i cili që prej fillimeve të tij ka spikatur dhe më pas ka arritur të ndërtojë një karrierë të suksesshme. Është koreografi i trupës së baletit të televizionit Klan, njeriu që me pasion prej shumë vitesh ka arritur që ta përcjellë artin e baletit në mënyrë të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për koreografin Albi Nako.

Ai ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku rrëfeu të rejat më të fundit në aspektin profesional dhe zbuloi se në Shtator do të hapë një Akademi të madhe kërcimi, e cila do të mbajë emrin e tij.

“Ne jemi popull baletdashës dhe kjo është e vërtetuar sepse ne kemi prodhuar balerinë që kanë “çarë” skenat botërore. Ka shumë kurse nëpër lagje dhe kjo tregon që interesi është shumë i madh. Duke parë këtë gjë kam menduar pse të mos bëj edhe unë diçka të tillë. Edhe pse miqtë e mi më thonë që jam vonë dhe duhet ta kisha bërë prej vitesh. Por puna në televizion kërkon angazhim të madh. Në Akademi do të ketë gjini klasike, moderne ku përfshihen shumë rryma, do ketë hip hop, street dance, latine, etj etj. Kërcimi është antistres, shëndet, kulturë, të dobëson dhe në fund fare ke mësuar edhe të kërcesh. Akademia do të ketë një gjithëpërfshirje, madje edhe kurimin e performancave të artistëve”, tha Nako.

Koreografi gjithashtu tregoi se është duke bërë një përpjekje për një projekt me televizionin italian “Rai” për sezonin e ardhshëm.

E në kuadër të projekteve dhe udhëtimeve të shpeshta në vendin fqinj Itali, drejtuesja e emisionit, Rudina Magjistari pyeti koreografin nëse është takuar atje me ish-bashkëshorten e tij, balerinën e njohur Klaudia Pepa, me të cilën ka dëshmuar se ruajnë kontaktet. Nako tha se e ka takuar dhe aprovoi edhe njëherë se vijojnë të ruajnë raport shumë miqësor bashkë.

Rudina Magjistari: Albi u takove me Klaudian në Itali? Marrëdhënia juaj është bërë publike dhe ti ke folur edhe këtu, por ajo që është për t’u përgëzuar është se mes jush ka mbetur një miqësi shumë e bukur. Ju vazhdoni komentoni njëri-tjetrin dhe keni ruajtur një marrëdhënie të mirë miqësore.

Albi Nako: Po, sigurisht që takohemi sepse edhe flasim për projekte dhe çështje pune dhe që të ruash miqësi me një ish, është pjesë e emancipimit. Sepse dëgjojmë rëndom që njerëzit pasi ndahen gati-gati vriten. Ne flasim për çfarëdolloj detaji artistik dhe kemi mbetur miq shumë të mirë./tvklan.al

Të ngjashme
UKT