Një aeroplan pasagjerësh është përfshirë nga flakët e zjarrit vetëm pak sekonda pasi është ulur në pistën e aeroportit Sharm El Sheikh në Egjipt.

Aeroplani Boeing 737-800 i nisur nga Ukraina u ul në aeroport pa asnjë problem. Kamerat e sigurisë në aeroport kanë filmuar momentin kur zjarri nis në pjesën e rrotave pasi kishte prekur pistën.

Autoritetet thanë se shkak u bë rrjedhja e vajit të hidraulikut dhe kontakti me frenat e nxehta. Ekipet e emergjencës shkuan menjëherë aty për të shuar flakët e zjarrit. 189 pasagjerët dhe 7 anëtarët e ekuipazhit shpëtuan pa pësuar asnjë lëndim.

Një zëdhënës i Ministrisë egjiptiane të Aviacionit Civil tha se kjo ngjarje mund të ishte shndërruar në katastrofë nëse ekipi i sigurisë së aeroportit nuk do të kishte vepruar me profesionalizëm, pasi zjarri do të përhapej në pjesët e tjera të aeroplanit. /tvklan.al