Afganët në Kosovë: Të sigurt e të mbyllur në kampe


Afganët në Kosovë: Të sigurt e të mbyllur në kampe

17:18 06/09/2021

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.

Rreth 700 afganë, që përmes disa fluturimeve u sollën në Kosovë, për një kohë të pacaktuar do të mbesin të izoluar, shumica prej tyre në kampin e kompanisë së ndërtimit të rrugëve, Bechtel-Enka si dhe pjesa tjetër në kampin e ushtrisë amerikane, Bondsteel.

Kampi i Bechtel-Enkas ku janë strehuar shumica e afganëve ndodhet në Ferizaj, rreth 40 kilometra larg Prishtinës dhe më pak se tri kilometra larg kampit Bondsteel.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sqaroi për Radion Evropa e Lirë, arsyet se pse afganët që janë të strehuar në Kosovë, po mbahen të mbyllur.

“Për shkak të rrethanave në të cilat vendi ynë gjendet, për shkak të proceduarave deri në furnizimin e tyre me dokumentet e nevojshme, por edhe për shkak të pandemisë dhe sigurisë, momentalisht ata janë të lirë të qarkullojnë brenda komplekseve ku janë të vendosur. Ditëve në vijmë ne do të përgatitemi që t’ua mundësojmë edhe lirinë e lëvizjes”, tha Sveçla.

Ministri Sveçla theksoi se ata mund të lëvizin me ndonjë asistencë vetëm në raste të veçanta.

“Për arsye emergjente ata mund të lëvizini apo ne mund t’i asistojmë, por aktualisht për shkak të rrethanave, ata duhet të qëndrojnë brenda komplekseve ku janë”, tha ai.

Afganët që po qëndrojnë në Kosovë janë kryesisht persona që kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikanë si dhe forcat e tjera aleate të NATO-s, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit.

Në Kosovë deri me tani janë strehuar 683 shtetas afganë që ikën nga Afganistani pasi militantët talibanë morën kontrollin e shtetit.

Operacioni i sjelljes së afganëve të tjerë në Kosovë ende nuk ka përfunduar, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga NATO-ja.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me institucionet në Kosovë, të cilat kanë rënë dakord të presin të evakuarit dhe kanë identifikuar objektin Bechtel që do të shërbejë si strehim i përkohshëm derisa të identifikojmë opsionet e rivendosjes”, thuhet në përgjigjen e NATO-s.

Rreth 2,000 persona pritet të strehohen përkohësisht në Kosovë, përderisa ata të presin kompletimin e dokumentacionit për t’u vendosur në baza të përhershme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të drejtat që ligji u garanton afganëve në Kosovë

Memli Ymeri, koordinator i projektit në Programin për të Drejtat Civile, thotë se grupi i afganëve që po qëndrojnë në Kosovë kanë të drejta të garantuara bazuar në Ligjin për azilin në Kosovë.

Sipas tij, grupi i afganëve që po strehohen në Kosovë, me vendim të qeverisë e gëzojnë mbrojtjen ndërkombëtare dhe se statusi i tyre është në mbrojtje të përkohshme.

Në kuadër të kësaj, sipas Ymerit, hynë edhe e liria e lëvizjes, e cila sipas tij në disa raste, për shkaqe të sigurisë, mund edhe të kufizohet.

“Në rast se institucionet e sigurisë e konstatojnë se personi është i rrezikuar që të dalë jashtë, atëherë mund të ndalohet liria e lëvizjes. Kjo vlen edhe për këtë grupin e fundit të afganëve. Në këtë rast, me vendim të qeverisë ku cekën shkaqet e arsyeshme, mund t’iu ndalohet edhe lëvizja e lirë jashtë kampit”, thotë Ymeri.

Përpos të drejtës për liri të lëvizjes, afganëve që janë në mbrojte të përkohshme, u garantohen edhe të drejta të tjera.

“Atyre u ofrohet ndihmë shëndetësore dhe nëse ka fëmijë të vegjël duhet t’iu ofrohet qasje në arsimim, lirinë e asociimit në shoqata e të tjera, e të tjera. Janë disa të drejta taksativisht të numëruara (në Ligjin për azi), të drejtat që ata nuk i gëzojnë janë se nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, të zgjidhen, të punojnë në institucione shtetërore e të tjera”, shton Ymeri.

Shtuni: Në Kosovë afganët nuk rrezikohen nga askush

Eksperti marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështjeve të sigurisë me bazë në Uashington, Adrian Shtuni, vlerëson se Kosova është një vendi i sigurt ku afganët e evakuuar duhet të ndihen të sigurt në rast se lejohen të lëvizin jashtë kampeve.

“Nuk kam arsye të mendoj se afganët e strehuar në Kosovë do të përballen me ndonjë pasiguri nëse do të lejohen të dalin jashtë kampit ku janë strehuar. Në Shqipëri ata janë duke lëvizur lirisht dhe nuk është raportuar për ndonjë incident deri tani”, thotë Shtuni për Radion Evropa e Lirë.

Shtuni thotë se afganët që janë strehuar në Kosovë dhe rajon nuk duhet parë si emigrantë të parregullt që kalojnë jashtëligjshëm kufij dhe që potencialisht mund të përbëjnë rrezik për rendin publik.

“Ata janë persona të evakuuar zyrtarisht nga autoritetet amerikane dhe që janë në procesin e shqyrtimit te statusit për marrjen e vizave speciale të emigrimit nga Departamenti i Shtetit”, thotë Shtuni.

Ai thotë se deri te momenti i pajisjes me vizë migrimi, duhet kaluar nëpër procese të gjata të kompletimit të dokumentacioneve dhe verifikimeve të nevojshme të sigurisë.

“Ky është një proces disi i gjatë dhe i imtësishëm, andaj kërkon kohë, por sipas autoriteteve amerikane ata që janë evakuuar i kanë kaluar disa nga fazat e procesit të verifikimit të sigurisë”, thekson Shtuni.

Afganët në rajon

Në Shqipëri, qindra afganë janë strehuar në hotele në Durrës, disa në Shëngjin dhe të tjerë në godinat e Qytet Studentit në Tiranë.

Maqedonia e Veriut ka strehuar rreth 149 afganë dhe sipas Qeverisë maqedonase ata nuk e kanë të kufizuar lirinë e lëvizjes “nëse nuk ka kufizime sa i përket masave kundër COVID-19”.

Autoritetet maqedonase thanë për Radion Evropa e Lirë se kanë siguruar kushte të duhura që të ndihmojnë shtetasit afganë, ta kalojnë këtë periudhë sa më lehtë.

Të strehuarit në këtë shtet, që kanë marrë me vete familjet e tyre, kanë punuar në organizata joqeveritare ndërkombëtare, disa prej të cilëve për organizatën Transparency Internacional si dhe të tjerë për Forumin Botëror Ekonomik.

SHBA-ja nuk dërgon në Kosovë persona të dyshimtë

Ditëve të fundit disa media amerikane, raportuan se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë në Kosovë një numër afganësh që nuk kanë kaluar procesin e verifikimit të sigurisë dhe kanë pasur nevojë për verifikime shtesë.

Disa raportuan se në mesin e tyre kishte persona se dyshoheshin se kanë lidhje me talibanët.

Por, përmes një reagimi publik, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, të shtunën në mbrëmje, më 4 shtator, hodhi poshtë raportimet se SHBA-ja do të dërgojë në Kosovë afganë të cilët janë konsideruar të papranueshëm për këtë shtet.

Sipas ambasadës amerikane, procesi përmes të cilit afganët aplikojnë për viza të veçanta emigruese ose status refugjati në SHBA, është kompleks.

“Disa aplikantë janë ende në procesin e marrjes së dokumenteve të nevojshme dhe dhënies së të gjitha informatave që kërkohen për t’u kualifikuar për hyrje të menjëhershme sipas ligjit të SHBA-së”, thuhet në deklaratë.

Agjencia Associated Press, duke cituar një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti, raportoi se SHBA-ja do të përdorë kampin ushtarak, Bondsteel, që strehon ushtrinë amerikane pranë kryeqytetit të Kosovës, për shqyrtimin dhe verifikimin e mëtejshëm të të evakuarve.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën Amerikane në Prishtinë se sa do të jetë numri i afganëve që kanë nevojë për verifikime shtesë e që mund të dërgohen në Kosovë, por zyrtarët e kësaj ambasade nuk kanë kthyer përgjigje.

Për çështjen e të evakuuarve afganë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e zhvilloi me nënpresidentin amerikane, Kamala Harris.

“Ishte kënaqësi të flisja dje me presidenten Vjosa Osmani për të shprehur falënderimin e kombit tonë për Kosovën që priti afganët e rrezikuar në Kampin Bondsteel”, shkroi nënpresidentja Harris në profilin e saj në Facebook.

Më 29 gusht, Washington Post raporti se rreth 300 punonjës të Departamentit të Sigurisë Kombëtare janë dërguar jashtë shtetit për të kryer verifikime biometrike si dhe biografike të afganëve të evakuuar.

Sipas këtij mediumi ata që kaluan verifikimin për t’u vendosur në SHBA, do të kalojnë një verifikim shtesë me të arritur atje, derisa u raportua se disa prej tyre janë dërguar sërish në vende të tjera, pasi janë ngritur shqetësime të aspektit të sigurisë.

NATO: Po mundohemi që afganëve t’ua bëjmë të lehtë qëndrimin në Kosovë

Më 16 gusht, Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar një numër afganësh që kishin punuar me forcat e huaja.

Kërkesa e SHBA-së ishte që autoritetet e Kosovës të strehonin afganët që ndiheshin të pasigurt nën regjimin e ri taliban pasi prej vitesh, në rrethana të rrezikshme, kishin punuar si përkthyes për trupat ushtarake amerikane si dhe forcat e tjera ushtarake të NATO-s që kishin operuar në Afganistan.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështjeve të sigurisë me bazë në Uashington, Adrian Shtuni vlerëson se pranimi i afganëve nga Kosova ka pasur jehonë ndërkombëtare.

“Dihet se partneriteti nuk fuqizohet vetëm me slogane dhe shprehje falënderuese, por mbi të gjitha me veprime konkrete. Në këtë rast, Kosova ka dëshmuar se është një partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara”, thekson Shtuni.

Që nga koha kur në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit u mblodhën qindra-mijëra njerëz që donin t’i iknin regjimit të ri taliban, në Kosovë mbërritën rreth 700 qytetarë afganë.

Deri më tani, ata janë vendosur në një kamp që ishte shfrytëzuar nga kompania e ndërtimit të rrugëve, Bechtel-Enka në dalje të qytetit të Ferizajt.

Aleanca Veri-Atlantike (NATO), tha për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja me institucionet e Kosovës është që të lehtësojë evakuimin dhe lëvizjen e mëtejshme të stafit afgan që kanë punuar për NATO-n, në kapacitete të ndryshme, si dhe familjarët e tyre.

Në NATO thonë se janë në komunikim të ngushtë me institucionet në Kosovë si dhe me vetë afganët, për të siguruar që ata të kenë qasje në aktivitete dhe ndihmën që mund të ofrohet.

“Si shembull, ne po ofrojmë sende ngushëllimi si lodra dhe lojëra për shumë fëmijë. Qëllimi ynë është të sigurojmë që qëndrimi i tyre i përkohshëm të jetë produktiv dhe i rehatshëm”, thuhet në përgjigjen e shefit për marrëdhënie me publikun në Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Jason Salata.

Autoritetet amerikanë kanë bërë të ditur se rreth 130,000 mijë afganë janë evakuuar nga Afganistani, që përbënë evakuimin më të madh ndonjëherë në historinë e SHBA-së.

Të evakuuarit në numër më të madh u dërguan në shtete të tjera transit si Gjermani, Spanjë, Katar dhe Kuvajt ku janë duke kaluar nëpër procese të verifikimit përpara se ta kenë mundësi që të migrojnë në SHBA apo të përfitojnë statusin e refugjatit, e që janë procedura që në disa raste zgjasin më shumë se një vit.

Në Kosovë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, vazhdimisht ka thënë se qëndrimi i afganëve në territorin e Kosovës do të jetë shumë i përkohshëm, duke thënë se mund të jetë vetëm çështje javësh para se ata të dërgohen në SHBA apo ndonjë vend tjetër anëtar i NATO-s./REL








Të ngjashme