Përplasja dyshohet se ka ardhur si pasojë e parakalimit të gabuar

Parakalimi i gabuar i drejtueses së mjetit tip Land Rover dyshohet se është shkaku kryesor i aksidentit tragjik që ndodhi pasditen e së enjtes në Qafë Muzinë ku humbën jetën 5 persona dhe u plagosën 4 të tjerë.

Për këtë arsye, pas hetimeve të para policia ka bërë arrestimin e drejtueses së fuoristradës. 22-vjecares Rexhina Celhaka, masë e cila i është komunikuar në ambientet e spitalit ku dhe gjendet e shtruar si pasojë e plagëve të marra në këtë aksident.

Ajo akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e disa personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Policia ka arritur në këtë përfundim pas matjeve që ekspertët rrugor kanë bërë në vendin e ngjarjes. Gjurmët e frenimit të fuoristradës në korsinë e parakalimit janë ende të freskëta edhe një ditë pas ngjarjes.

Si pasojë e përplasjes drejtuesi i furgonit Bardhi Proda ka kryer disa manovra për të mbajtur mjetin në rrugë. Ai është përplasur fillimisht me këto barriera të shkëputura nga njëra – tjetra dhe më pas ka përfunduar në greminë.

Lidhur me këtë ngjarje kanë dhënë dëshminë e tyre edhe dy mikeshat italiane të 22-vjeçares Çelhaka që udhëtonin me të në mjetin tip Land Rover. Ato kanë treguar se mjeti ka rrëshqitur nga lagështira.

Ndërkohë 4 të plagosurat nga aksidenti tragjik po marrin mjekim pranë Spitalit të Gjirokastrës, ndërsa bluzat e bardha bëjnë të ditur se ato gjenden jashtë rrezikut për jetën.

Tv Klan