Dy të rinj, një prej të cilëve shqiptar, humbën tragjikisht jetën në një aksident automobilistik të ndodhur mëngjesin e së enjtes në një autostradë në Itali. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:30 minuta të së enjtes, në A4, mes Villesse dhe Redipuglia, në drejtim të Triestes.

Viktimat janë 28-vjeçari Arjan Disha dhe 34-vjeçarin maroken, Jamal Amaadour. Ata udhëtonin me një Fiat Bravo kur u përplasën me një kamion që kishte ndaluar në korsinë e emergjencës, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Dy të rinjtë, sipas mediave fqinje, jetonin në provincën e Trevisos, por punonin në Monfalcone (Gorizia). Ata ishin nisur për në punë kur ndodhi aksidenti tragjik. Shkaqet e aksidentit të rëndë mbeten të paqarta, por nuk përjashtohet mundësia që shoferin ta ketë kapur gjumi ndërkohë që ishte në timon.

Përplasja ishte kaq e fortë sa dy të rinjtë mbetën të bllokuar brenda automjetit të tyre. Makina, e cila përfundoi poshtë kamionit u nxor me vështirësi nga forcat e zjarrfikëses./tvklan.al