Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se të martën u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Për këtë ka reaguar ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një shënim të bërë në Facebook, ku shprehet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër.

Ai i ka dalë në mbrojtje të Thaçit dhe Veseli ndërsa thotë se beson te pafajësia e tyre.

“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës. Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftetarëve të tjerë”.

Në krah të tyre kanë dalë edhe Isa Mustafa dhe Albin Kurti.

“Besoj thellë se lufta e UÇK-së. Ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb. IM“, shprehet Mustafa.

Ajo çfarë po shohim sot është pasojë e re e gabimeve të moçme. E di që UÇK është luftë e drejtë, kundër një agresori dhe okupatori i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe veteranët e invalidët e luftëtarët janë më të drejtën e tyre e tonë“, shprehet Kurti.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, duke reaguar pas publikimit të aktakuzës së Prokurorit të Specializuar, kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosovës i duhet drejtësi.

“Në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi. I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion. Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë. Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Evropë e çdokund në botë.”

Për aktakuzën reagoi edhe Behgjet Pacolli, i cili tha se beson në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit Kadri Veselin.

“Kosova ka luftuar për çlirim dhe pavarësi kundër Serbisë. Gati një shekull ishim shtypur dhe vrarë nga Serbia. Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi një luftë të drejtë. Unë besoj në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit Kadri Veselin. UÇK-ja luftoi një luftë të drejtë. Ne të gjithë besojmë në pafajësinë e ushtarëve tanë. /tvklan.al