Aktori shqiptar nga Kosova, Arben Bajraktaraj, ka folur për herë të parë për serialin “Besa”, një bashkëprodhim serb, kroat, anglez dhe slloven.

Në një lidhje me Skype nga Parisi për emisionin “Historia Ime” të Mirela Milorit në Tv Klan, Bajraktaraj tregon arsyet përse pranoi të bashkëpunonte në këtë serial, ku ai luan rolin e Dardanit.

Arben Bajraktaraj: Është krijuar nga një skenarist i mirënjohur britanik me producentë të tjerë. Është hera e parë që ka një bashkëpunim të tillë në hapësirën ish-Jugosllave, sepse ky është bashkëprodhim edhe serb, edhe kroat, anglez dhe slloven po ashtu. Gjithashtu, aktorët që marrin pjesë janë pothuajse nga gjithë ish-Jugosllavia. Me thënë të drejtën, mua më ka tërhequr skeleti dramaturgjik që i përafrohet dramave të vjetra antike. Kur e pata lexuar skenarin, para se të jepja përgjigjen, producenti më tha ‘të lutem mos ma jep përgjigjen përmes telefonit, do vij në Paris do takohemi’. Dhe aty u binda që të marr pjesë me disa kushte. Natyrisht që e gjithë seria do ishte e spastruar nga të gjitha tendencat, etiketimet e një populli etj. Këtë spastrim e kemi bërë bashkë me skenaristin. Dhe doli diçka shumë interesante.

Mirela Milori: Ti je ndjerë mirë në këtë bashkëpunim në rolin e Dardanit?

Arben Bajraktaraj: Po po. Roli i Bajramit është një rol i jashtëzakonshmë, është një rol interesant. Roli i Dardanit është një njeri që nuk ka kurrëfarë njerëzimi, por në të vërtetë mban njerëzimin brenda vetes.

Arben Bajraktaraj ka luajtur edhe në filmin hollivudian “Taken” në krah të aktorit protagonist Lian Nelson. /tvklan.al