“Alizoti në përgjime i thotë mamasë që më jep 3 mijë lekë”

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji i konsideroi si thashetheme akuzat e Prokurorisë ndaj tij në lidhje me çështjen “Babale”. Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan, ai deklaroi se prokuroria e akuzon se ka vendosur në shërbim SHISH dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëmtuar qeverinë.

“Prokuroria thotë që ia kam dhënë “Babales”, por nuk ia kam dhënë këtij tjetrit, Alizotit ishin 400. Pra unë i kam marrë njërit, por meqenëse kam 200 mijë euro të pajustifikuara dhe i ka marrë një njeri nga bota e krimit, e kuptoni ça institucioni? Në të gjithë pretencën, që ka prokuroria janë vetëm thashetheme që unë kam vendosur në shërbim edhe Shërbimin Shtetëror edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të gjitha këto për të dëmtuar qeverinë thotë. Unë qeverinë dua ta dëmtoj gjithë ditën, por nuk jam unë ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj”, tha Salianji i cili shtoi se fillimisht duhej mbyllur hetimi për trafik narkotikësh dhe pastaj të kalonte në hetim tjetër. Sipas tij prokuroria në mënyrë të qëllimshme personazhin kryesor, Agron Xhafajn e la që të largohej.

“Si mund të bëj unë kallëzim të rremë me 3 persona që nuk i kam takuar kurrë. Nuk kam takuar kurrë Fredi Alizotin. Nuk kam asnjë kontakt me të”, tha ai.

Sipas Salianjit, prokuroria ka bërë të njëjtën pretencë fjalë për fjalë si Edi Rama.

“Ju e mbani mend që ka thënë që kam një akt ekspertim. E ka bërë në të njëjtën linjë logjike që ka qenë komplot shtetëror i PD, prokurorisë dhe SHISH në dëm të qeverisë”.

Ish-deputeti solli detaje edhe rreth Alfred Alizotit, personazh i përfshirë në këtë çështje. Salianji deklaroi se ai ka 30 kontakte telefonike me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

“Ky Alizoti në përgjime i thotë mamasë që më jep 3 mijë lekë që të vij në Tiranë. S’ka 3 mijë lekë të vjetra në përgjime. Pastaj ka lekë pafund vendos në shërbim drejtorin e policisë së fierit, nëndrejtorin e policisë, drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe ky person që unë i kam premtuar 200 mijë euro që nuk e dëgjova në gjyq të thotë që nuk ia kam premtuar kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë ky personi ka nja 30 kontakte telefonike me Taulant Ballën”.

Materiali audio i Agron Xhafajt, i dërguar për ekspertim sipas Salianjit, nuk është dërguar në mënyrë ligjore pasi është marrë një material i dërguar nga avokati i tij që të mos nxirreshin audiot 100% të ngjashme.

“Prokuroria nuk ka çuar zërin që ka marrë me ekspert. Dokumenti që ka çuar prokuroria, apo materiali që ka çuar në Britani ka çuar një material që ka sjellë avokati Geron Xhafajt, Ardian Visha. Nuk ka çuar materialin sipas ligjit. Sepse kur merret materiali në forma të ndryshme e nxirrte të ngjashëm 100%, këta kanë çuar një material të dobët. Ashtu sikurse kanë bërë hilen tjetër. Nuk kanë çuar materialin bruto”, tha Salianji. /tvklan.al