Dardan Stublla, bashkëshorti i ministres së Jashtme në detyrë, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar pas akuzave se ai është përfshirë në blerje votash. Në një postim në mediat sociale shprehet se nuk është i përfshirë në ndonjë rast për blerje të votash për bashkëshorten e tij.

Stublla shprehet se këtë rast e ka dërguar në Prokurori për hetime të mëtejshme dhe bën thirrje që të zbardhet e vërteta.

Pas shqetësimeve tronditëse që pësuam mbrëmë si familje, e ndjej obligim t’i drejtohem opinionit publik, se NUK JAM UNË pjesë siç po pretendohet në video-fabrikimin e publikuar, për kinse ‘vjedhje/blerje të votave në Qendrën për Numërimin e Votave”, shkruan ai.

Bashkëshorti i ministres në detyrë shton se “video është komplet e inskenuar nga grupet kriminale që funksionojnë në shërbim të interesave të ngushta e personale, që kanë prapa persona të caktuar në përkrahje ‘të sapo aderuarve’ në listën për deputetë në AAK, të cilët mendojnë se betejat politike fitohen përmes inskenimeve, shantazheve dhe përmes publikimeve të tyre në pseudo-portale”.

Reagimi i bashkëshortit të Meliza Haradinajt vjen një ditë pasi mediat në Kosovë publikuar një video ku pretendohet se ai është kapur duke blerë vota./tvklan.al