Ekspertët kibernetikë japin alarmin për përhapjen në masë të viruseve që shfrytëzojnë kompjuterët dhe smartfonët për të gjeneruar monedha virtuale.

Firma e njohur e antiviruseve “Kasperski” paralajmëron se hakerët kanë përhapur një aplikacion që përdor fshehurazi smartfonët për të gjeneruar monedha virtuale. Ekspertët thonë se aplikacione të tilla mund të shkaktojnë shpërthimin në flakë të celularëve. Ata shpjegojnë se këto aplikacione shfrytëzojnë fshehurazi kapacitetin e pajisjeve elektronike të lidhura me internetin, duke bërë që bateritë të nxehen nga mbingarkesa dhe të shpërthejnë.

Në një blog të kompanisë “Kasperski” thuhet se një prej këtyre aplikacioneve quhet “Loapi”. Në një provë të kryer, instalimi i këtij programi shkaktoi shpërthimin e celularit. Për këtë rrezik, policia spanjolle u bëri thirrje përmes Twitterit, përdoruesve të celularëve të bëjnë kujdes.

Ekspertët këshillojnë përdoruesit e celularëve që të mos instalojnë programe të dyshimta që sugjerohen nga reklama në faqe të zakonshme. Sipas tyre, aplikacione të sigurta gjenden vetëm në Playstore për celularët android dhe Applestore për iPhone.

Tv Klan