Zyrtarisht dy këngëtarët Alban Skënderaj dhe Miriam Cani janë martuar në datën 7 Maj në ishujt Maldive. Pak orë më parë ka qenë Albani ai që ka ndarë disa foto nga ceremonia me ndjekësit e tij në Instagram, shoqëruar me këtë dedikim:

“U deshën 12 vite që të quheshim zyrtarisht Burrë e Grua por në zemër kemi qenë dhe jemi ende ata dy të rinj ëndrrimtarë që përtej ceremonive gjithmonë e kanë ndjerë thellë në shpirt se janë bërë për njëri-tjetrin.

U deshën 12 vite të thonim PO përpara Zotit dhe njerëzve që na duan por në të vërtetë zemrat kanë thënë përgjithmonë PO nga momenti i puthjes së parë!

U deshën 12 vite të vishnim kostumin dhe fustanin e nusërisë e të shkëmbenim unazat kur ndërkohë kemi jetuar nën lëkurën e njëri-tjetrit çdo gëzim e hidhërim dhe kemi ndarë çdo të mirë e të keqe që jeta na ka ofruar.

Foto nga dasma në Maldive e Albanit dhe Miriamit bashkë me vajzën Ameli (Instagram: Alban Skënderaj)

Fati dhe shpirti donin qe ky moment i shënuar të merrte jetë pikërisht aty ku në vitin 2013 ai propozim i pazakontë na la për pak pa frymë të dyve, por këtë herë jo në botën e magjishme nënujore por vetëm pak metra më larg, në siperfaqen e një ishulli të pa banuar. Një pikë e bardhë në mes të oqeanit. Zhveshur nga të gjitha dekoret e krijuara nga dora e njeriut dhe veshur nga bukuritë përrallore që ka krijuar dora e Zotit.

Duhet të prisnim 12 vite që kjo ditë të merrte kuptimin e plotë të saj me prezencën e ëngjëllit tonë, Amelisë.

PO … deri sa vdekja të na ndajë!” /tvklan.al