Amerikani që jeton në Belsh

Amerikani që jeton në Belsh

16:52 25/08/2019

INSTAT: Mbi 14 mijë të huaj punojnë në Shqipëri

“Një jetë larg Shqipërisë” është ëndrra e shumë të rinjve, që emigracionin e shohin të vetmen zgjidhje të problemeve të tyre. Në qytetin e Belshit numri i të larguarve është rritur nga viti në vit, dhe qëllim mbetet edhe për të rinjtë e tjerë.

“Do të iki nga Belshi, nuk jetohet këtu”.
“Nuk ka as të ardhura, as punë, do të largohem”.
“Nuk mendoj të jetoj këtu”.


Po ky nuk është rasti i Charlit, 23-vjeçarit nga Bostoni, që larg Amerikës zgjodhi Shqipërinë për të punuar.

Si pjesë e Korpusit të Paqes, Charli aplikoi fillimisht të vinte në Shqipëri, dhe prej muajit Prill punon si mësues i anglishtes në shkollën 9-vjeçare “Halit Uruçi” të Belshit.

“Do të jem në Belsh për 2 vite, më parë kam jetuar në Librazhd. Fillimisht kisha kureshtje për rajonin e Balkanit, kulturën dhe historinë. Nuk e dija se çfarë më priste në Shqipëri, kisha pare vetëm disa foto në internet. Tani ndihem si në shtëpi, njerëzit janë kaq miqësor, kështu që nuk ishte e vështirë të integrohesha”.

Të rinjtë shqiptarë i vlerëson për zgjuarsinë dhe këmbënguljen, megjithatë emigracionin e quan jo një zgjidhje për ta.

“Fëmijëve duhet t’ju behet e qartë që kur janë të vegjël se mund të jenë të suksesshëm dhe të kenë një karrierë të pasur edhe në Shqipëri, jo vetëm larg saj. Ky vend është i bukur dhe i pasur, duhet investim, ndërsa të rinjtë duhen motivuar”.

Ashtu si Charli, janë mbi 14 mijë të huaj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në Shqipëri. Sipas INSTAT, 14.162 të huaj morën leje qëndrimi në Shqipëri gjatë 2018, duke shënuar një rritje me me 9,7 %, krahasuar me 2017.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT