Një prej rasteve më të ndjeshme të përcjellë në emisionin “Historia e Fundjavës” dhe “Historia Ime” është apeli i këngëtares Luljeta Përbasha. Ajo është 59 vjeçe dhe jeton me bashkëshortin në Bilisht, në kushte shumë të vështira ekonomike. Prej 7 vitesh Luljeta kujdeset për burrin e saj të paralizuar, i cili nuk mund të ecë, të lëvizë, e as të flasë. Ajo kërkon ndihmë për të kaluar ditët që i kanë mbetur në një banesë, me kushte normale. Në studion e emisionit “Historia e Fundjavës”, ishte i ftuar këtë të diel Blendi Fevziu, i cili tha se historinë e Luljetës do ta trajtojë edhe në emisionin “Opinion”.

Blendi Fevziu: Jeta ka jo vetëm kurthet e veta, por ka të panjohurat e saj të mëdha. Mbaj mend një moment që kam qenë duke diskutuar me Ramiz Alinë, ish-liderin komunist të kohës, pas një interviste dhe po e pyesja për çështjen e jetës në Bllok. Dhe ai më tha çfarë rëndësie ka tha, kur bilanci i jetës bëhet ditën e fundit, jo sesa mirë ke qenë një periudhë të caktuar. Nëse ti e mbyll jetën me disa vite burg, nuk mund të thuash që bilanci i jetës është kaq pozitiv. Pra bilanci bëhet në fund dhe ndonjëherë fundi ka shumë të papritura, sepse fundi është një kurth në vetvete për faktin se ti nuk ke më fuqi t’ia nisësh nga fillimi. Ti nuk ke më as, kohë, aq fuqi, as mundësi dhe nuk ke më as solidaritet shoqëror për të nisur nga fillimi. Nuk e di nëse mund të bëjmë diçka për rastin në fjalë, edhe në emisionin Opinion, mund ta konsultojmë në ditët në vijim. Do të ishte shumë mirë të mund të ndihmonim sa të mundeshim.

Arbër Hajdari: Ne kemi arritur deri tani që të grumbullojmë gjysmën e fondit që duhet për shtëpinë e Luljetës. Është gjëja më problematike sepse ajo jeton në një kasolle dhe bashkëshortin e ka të sëmurë. I kemi gjetur një shtëpi afër spitalit në Korçë, që ta kenë sa më afër për nevojat e tyre. Kemi gjetur një banesë 2+1 që besoj plotëson të gjithë kushtet që ka nevojë Luljeta. Fushatën e kemi nisur para 10 ditësh dhe do të na bëheshit shumë krah nëse do ta vazhdonim…

Blendi Fevziu: Patjetër me kënaqësi, vetëm duhet të rakordohemi me stafin tim në ditët në vijim për të bërë diçka./tvklan.al