Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë marrë informacioneve në rrugë operative se në Bathore, në rrugën “Demokracia”, një shtetas qarkullonte në orët e pasdites duke mbajtur me vete armë zjarri.

Bazuar në këto informacione është organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Manreka”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i G. SH., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik, 26-vjeçarit i është gjetur në brez, një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me 8 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet./tvklan.al