Janos Papantoniou, ish-ministër grek i Mbrojtjes dhe i Financave, është arrestuar sonte nga policia së bashku me gruan e tij, Stavroula Kourakou. Sipas mediave të Athinës, ata akuzohen për pastrim parash.

Ish-ministri Papantoniou dhe bashkëshortja nuk kanë mundur të shpjegojnë burimin e 2.8 milionë frangave zvicerane. Ai akuzohet për një kontratë të vitit 2003, kohë kur mbante postin e ministrit të Mbrojtjes, që kishte lidhur me një kompani franceze për mirëmbajtjen e armatimeve. Sipas aktakuzës, thuhet se ish-ministri ka marrë ryshfet për t’i dhënë kontratën kompanisë franceze “Thales”.

Gjithashtu, kontrata kishte parregullsi që lidheshin me përfitimin që buronin prej saj. Sipas hetuesve grekë, shuma prej 2.8 milionë franga zvicerane ka qenë pjesë e një sasie prej rreth 4 milionë frangash zvicerane që ishin ofruar për të favorizuar këtë kontratë. Dëmi ndaj shtetit grek, sipas akuzës, kap vlerën e 400 milionë Eurove.

Në bankat zvicerane janë identifikuar 7 llogari dhe dhjeta të tjera nënllogari përmes të cilave janë transferuar paratë. Poseduese e disa prej këtyre llogarive është edhe bashkëshortja e ish-ministrit, që gjithashtu u gjet fajtore dhe u arrestua.

Shtypi grek aliudon se Janos Papantoniou dhe gruaja Stavroula Kourakou janë dërguar në burgun e Koridhalos. /

tvklan.al