Është arrestuar në Gjermani autori i vrasjes së Briken Sanajt, krim i ndodhur te “Kodra e Diellit” në Tiranë, mbrëmjen e 30 tetorit të vitit 2022.

Vladimir Kola, personi i akuzuar për këtë ngjarje ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana pasi Gjykata e Tiranës, më 23 nëntor të vitit 2022 kishte caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg”. Mbi të rëndojnë dy akuza: “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”. Për këtë ngjarje policia ka arrestuar dhe njërin prej bashkëpunëtorëve, Gjeloshin Krasniqin, i cili dyshohet se i siguroi makinën në Kosovë, autorit të atentatit.

Briken Sanaj u qëllua me 5 plumba pistolete në zonën e “Kodrës së Diellit”, disa metra larg shtëpisë teksa ai po dilte nga mjeti.

Shkak i vrasjes së 39 vjeçarit dyshohet se kanë qenë hakmarrja. Në vitin 2012 vëllai i Briken Sanajt plagosi një familjar të Vladimir Kolës.

Në dokumentet zyrtare njihet si Briken Sanaj, gjatë fëmijërisë kishte përdorur emrin Skerdilajd, ndërsa në rezidencën e Kodrës së Diellit ishte i regjistruar më identitetin Anton Gjini. 39-vjeçari jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa nga verifikimet në të dy vendet rezulton pa precedent penal.

Klan News