Mirlind Daku vijon të dërgojë sinjale të forta nga Rusia para kampionatit Europian 2024. Sulmuesi kuqezi konfirmoi se po kalon një formë të shkëlqyer me Rubin Kazan për të lënë gjurmë në takimin e tretë radhazi. 26-vjeçari shënoi golin e dytë radhazi, këtë hërë në barazimin 1-1 ndaj Ural për t’i dhënë pikë tepër të rëndësishme Rubinit në rrugën drejt qëndrimit në elitën e futbollit rus.

Më këtë gol spektakolar, Daku u ngjit në kuotën e 7 rrjetave sezonale për të forcuar pozitat në listën e trajnerit Sylvinho për në Euro2024. Shqiptari u zgjodh dhe lojtari më i mirë i këtij 90 minutëshi, teksa e dërgon në 5 numrin e golave kuqezi në takimet e fundit me skuadrat respektive.

Taulant Seferi ishte njeriu i ndeshjes Bani Jas-Hata në Emiratet e Bashkuara Arabe, që përfundoi me rezultatin 4-2. Sulmuesi kuqezi shënoi dygolësh dhe dha edhe dy asiste. 9 gola dhe 3 pasime për gol për 29-vjeçarin në 19 ndeshje të luajtura. Edhe Myrto Uzuni dha kontributin e tij në fitoren 3-0 të Granada-s ndaj Osasuna. Për lojtarin e përfaqësueses shqiptare, kjo ishte rrjeta e 11 sezonale.

I pandalshëm në Turqi Rei Manaj, që i dha triumfin Sivasporit ndaj Koniasporit dhe e fitoi derbin me sulmuesin tjetër kuqezi, Sokol Cikalleshi. Për 27-vjeçarin, ky është goli i 18 në këtë sezon në Superligën turke.

Klan News