Demokratët erdhën dhe u ulën pa e penguar siç bënë në 5 muaj Konferencën e Kryetarëve, madje duke arritur dakordësimin me socialistët në parim për ngritjen e dy komisioneve hetimore; atë për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe per koncesionet në shëndetësi.

Dakortësia do të zyrtarizohet të mërkurën në një mbledhje tjetër ku do të përfshihen në kalendarin e punimeve të Parlamentit nisja e këtyre dy hetimeve parlamentare. Ndërsa këmbëngul që objekti i tyre do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe jo ligjin e ri për komisionet hetimore që ata e kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.

Gazment Bardhi: Do duroni deri nesër për të shpallur të zgjidhur ngërçin që është krijuar në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të refuzimit të mazhorancës për të përmbushur të drejtat kushtetuese.

Edhe pse zyrtarisht kushti tjetër i demokratëve, ai i riformatimit të Komisionit të Reformës Zgjedhore nuk u pranua, është gjetur një formë që do t’i lërë t’i kënaqë kërkesat e grupimit të Berisha-Bardhi, por do të nxjerrë jashtë loje Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn.

Pas 21 Marsit kur përfundon mandati i këtij komisioni, nuk do të kërkohet zgjatje e tij pavarësisht nëse do të ketë apo jo një produkt final, por është rënë dakord për një nënkomision parlamentar ku do të diskutohen ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, përfshirë dhe këtë reformë. Çka pohohet si nga Bardhi dhe nga socialisti Bledi Çuçi.

Bledi Çuçi: Mendoj që ishte një frymë e mirë sa i takon edhe vazhdimit të një jete parlamentare normale.

Vetë Çuçi e quan një hap të rëndësishëm rikthimin e opozitës në institucionin e parlamentit, por nga ana tjetër Bardhi e quan fitoren e opozitës pranimin e kërkesave të opozitës.

Bledi Çuçi: Ramë dakord që në parim të diskutojmë për çështje që kanë të bëjnë me ligje që kërkojnë 3/5 që t’i diskutojmë paraprakisht në bërthama më të vogla se sa komisioni ligjor.

Gazment Bardhi: Ky nënkomision do diskutojë çdo reformë që kërkon gjithëpërfshirje dhe konsensus, që do duhet të pasqyrojë realitetin politik në vend, pra dikush që është 3 veta nuk mund të thotë jam 300.

Edhe ministrja e Shtetit për Parlamentin e quan pjekuri qëndrimin e ri të opozitës duke mohuar që ambasadorët të jenë ata që negociuan rikthimin e normalitetit.

Ministrja Spiropali: Nuk janë aty për të ndërmjetësuar nëpër tryeza mes forcash politike apo edhe mes një force politike kur ajo është e ndarë dhe e përçarë.

Ndërkohë, në Konferencën e Kryetarëve e vetmja që nuk e ka qenë e kënaqur për kthimin e normalitetit në parlament duket se ka qenë përfaqësuesja e Lulzim Bashës, Flutura Açka, që me ironi ka deklaruar se tanimë mund të ngrihet dhe një komision hetimor për të shkelmuar SPAK-un.

Tv Klan