“Argëtohem me karikaturat e Bujar Kapexhiut”

Kryeministri Edi Rama është etiketuar shpeshherë si “arrogant” për sjelljen e tij karshi mediave dhe gazetarëve. Por, vetë Rama i mohon këto pretendime.

Në një intervistë ndryshe për emisionin Opinion në Tv Klan, Kryeministri Rama është pyetur për raportin që ka me mediat. Në këtë aspekt, shefi i qeverisë thotë se me mediat është një konflikt konceptual.

Sipas Kryeministrit, defekti qëndron në degradimin e lirisë së fjalës, por nga ana tjetër refuzon që të ketë një luftë mes pushtetit qeveritar dhe medias.

Blendi Fevziu: Pse ky raport i vështirë me median? Keni qenë një lloj produkti mediatik…

Kryeministri Edi Rama: Mbase sepse unë kam qenë aty, kam qenë me të gjithë ju në një kohë, natyrisht jo gazetar, por kam qenë pjesë e atij fronti, pjesë aktive e frontit të lirisë së fjalës edhe të lirisë së shtypit dhe kështu me radhë. Mbase kjo më bën që të jem më pak i gatshëm që të pranoj që të pranoj degradimin e madh që ka ndodhur në ushtrimin e lirisë së fjalës. Por përtej kësaj s’kam asnjë problem. Është vetëm një konflikt konceptual, është vetëm një konflikt retorik, por nuk është një konflikt i pushtetit, ose i pushtetit që unë kam me median si pushtet. Se askujt s’i është rënë në qafë asnjëherë për asgjë nga kjo qeveri në 7 vite.

Blendi Fevziu: Është shumë interesante, duhet të ketë qenë viti ’94 kur ka qenë një nga intervistat tona të para, ka qenë një ekspozitë që ju e titullonit “Ambalazh”. Ishte shumë e bukur dhe ti ishe një piktor ekstravagant që talleshe me piktorët e tjerë, por mbi të gjitha me politikanët. Tani ju vjen çudi që nga ky piktor ekstravagant që tallej me politikanët, jeni kthyer pak a shumë si personazhet e talljeve tuaja dikur?

Kryeministri Edi Rama: Shpresoj që s’jam si personazhet e talljeve të mia njëherë. E dyta, për fat të mirë kam një sens të humorit që nuk e kam me një kalim, nuk jam vetëm unë që mund të bëj humor me të tjerët, por edhe të tjerët mund dhe duhet të bëjnë humor me mua, kështu që… Unë, për shembull, asnjëherë s’i kam kuptuar politikanët që nuk e durojnë dot humorin ndaj tyre dhe unë për shembull argëtohem shumë me karikaturat e Bujar Kapexhiut kur qëllon që i shoh. I kam thënë biles hajde bë një ekspozitë te kodi me karikaturat e tua për mua. Ose argëtohem shumë kur qëllon të shikoj njerëz që tallen, imitojnë, është gjëja më normale. Do të ishte një mangësi e madhe sikur këtu mos kishte njerëz të cilit vinin në lojë qeverinë, Kryeministrin, pushtetin. /tvklan.al