Pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan ka qenë një djalë 36 vjeç i cili ka mbaruar Akademinë e Arteve për kompozicion. Ai ka rrëfye historinë e jetës së tij dhe problemet që ka pasur me familjen e tij që prej 20 vitesh. Sipas tij, babai nuk e ka trajtuar asnjëherë mirë dhe nuk e ka vlerësuar apo mbështetur aq sa duhet.

Mirela Milori: Sa vjeç ke qenë kur ka nisur konflikti i parë?

36-vjeçari: Isha 18-19 vjeç. Isha në shkollë dhe ata më jepnin 50 lekë të reja ose 100 lekë të reja maksimumi që ishin mjaftushëm për një kafe dhe disa cigare. Se duheshin fotokopje, se duheshin libra, nuk donin t’ja dinin fare, më thoshin gjeji kur të duash, fillo punë.

Mirela Milori: Si ishte familja nga ana ekonomike?

36-vjeçari: Ka qenë familje mesatare, babai punonte mekanik, mamaja rrobaqepëse kështu që pa gjë nuk ishim. Idea e tyre ishte që të mos më mësonin me lekë mua. Në shkollë krijova shumë shoqëri, madje shumë nga shokët e mi janë këtu në Klan, janë bërë të famshëm dhe janë rregulluar. Një shok që ishim në Lice, që nuk fitoi kur konkurruam bashkë, është dikushi në jetë dhe në një pozicion shumë të mirë, ndërkohë që unë kam mbetur nëpër call center-a sepse babai dhe vëllai kanë patur një vlerësim të ulët për mua. Vëllai ka qenë shkaku i sherreve në shtëpi, ai ndizte zjarrin dhe i hidhte benzinë dhe ulej në divan shikonte gallatë se si zihesha unë me familjarët.

Mirela Milori: Çfarë mund të jetë një fjalë, një situatë që të rëndon nga ato që të ka thënë babai?

36-vjeçari: I thoja shiko i ba kam marrë 10 dhe më thoshte ik ore idjot, kush të jep 10 ty. I thoja shiko se e kam në dorë e më thoshte s’kam nevojë ta shoh sepse unë e di kush je ti.

Mirela Milori: Kishe dikë që mund t’i ndajë këto gjëra, për shembull, një shok një shoqe.

36-vjeçari: Po kam patur shumë dhe mund të dalin shumë persona që ta vërtetojnë këtë gjë.

Mirela Milori: Çfarë të këshillonin?

36-vjeçari: Më thoshin mos u merr, mos ia var. Arrita në në pikë sa rrija vetëm rrugëve, nuk shkoja në shtëpi sepse zgjohesha me sherr në shtëpi dhe sa shkoja në shtëpi prap, plaste sherri, kisha frikë të shkoja në shtëpi. Tani 2 vitet e fundit është përkeqësuar situata dhe rrija me frikë në shtëpinë time, mbyllja derën e dhomës./tvklan.al