Në marrëveshjen e 18 Majit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ranë dakort që të ndërhyjnë në Kodin Penal duke ashpërsuar sanksionet për vepra penale si, shitblerja e votës apo edhe për të pasur një forcim të kuadrit ligjor të financimit të partive politike.

Janë 12 nene të Kodit Penal, dënimet e të cilave janë ashpërsuar pas ndërhyrjeve të bëra nga legjislativi.

Për shit-blerjen e votës, ndëshkimi ndryshon nga gjashtë muaj deri në dy vjet burg, në një vit deri në pesë vjet burg.

Për shkeljen e  fshehtësisë së votimit, dënimi ndryshon tre muaj gjerë në dy vjet burg, në gjashtë muaj deri në tre vjet.

Dënimi për votimin më shumë se një herë ose pa u identifikuar ndryshon nga tre muaj, gjerë në një vit që ishte, në burgim me gjashtë muaj deri në tre vjet.

Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit dënohet nga një vit deri në katër vjet burg.

Dënimi për pengimin e subjekteve zgjedhore ishte 3 muaj deri në 3 vjet dhe do të jetë nga 1 deri në 5 vjet burg.

Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve dënohet me burgim, nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Po e njëjta masë është edhe për detyrimin e punonjësve të administratës në veprimtari zgjedhore.

Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje, nga tre muaj gjerë në dy vjet që ishte, bëhet gjashtë muaj deri në tre vjet.

Kanosja apo përdorimi i dhunës që i bëhet komisionerit, vëzhguesit, numëruesit, si dhe çdo zyrtari tjetër të ngarkuar me zgjedhjet, nga gjashtë muaj gjerë në tre vjet burg që ishte, bëhet një vit deri në katër vjet.

Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim, ose më shumë se një herë dënohet me burgim, bëhet nga një gjerë në pesë vjet burg, në dy deri në pesë vjet.

Marrja ose përdormi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit nga shtetas të tjerë dënohet nga një deri në pesë vjet, ndërsa dhënia e dokumentit të identifikimit me qëllim përdorimin e tij në mënyrë të paligjshme për zgjedhje, dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.

Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim, nga një vit deri në pesë vjet.

Tv Klan