Shënjestër e atantatit të 3 Nëntorit në rrethrrotullimin e Shkozetit në autostradën Tiranë-Durrës, dyshohet të ketë qenë Pëllumb Muharremi që njihet edhe me nofkën “Rumi”.

Ky është informacioni që ka dhënë gazetari Spartak Koka në emisionin “Opinion” në Tv Klan, referuar të dhënave hetimore të deritanishme.

Sipas gazetarit, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja, ka parë një makinë të dyshimtë dhe i bllokoi rrugën.

Më pas, mjeti i dyshimtë doli nga ana tjetër e rrugës dhe hapi zjarr me breshëri kallashnikovi.

“Automjeti i autorëve fillimisht ka tentuar t’i dalë nga krahu tjetër. Andi Maloku ka evidentuar një lëvizje të një automjeti të dyshimtë dhe i ka prerë rrugën. Automjeti më pas i ka dalë nga krahu tjetër dhe në të dhënat paraprake dyshohet që shënjestër e atentatit të ketë qenë Pëllumb Muharremi. Makina ka dalë nga rruga me qëllim që t’ju shpëtojë plumbave. Në atë që thuhet deri tani kanë qenë objektiv për t’i vrarë sepse goditja ka qenë drejtpërdrejtë mbi automjet. Dyshohet që ngjarja të ketë të bëjë me pistën e hakmarrjes”, ka thënë gazetari.

Gazetari Spartak Koka sqaroi gjithashtu se Pëllumb Muharremi ka 4 emra.

“Personazhi “kryesor” i njohur dhe me pseudonimin “Rumi” kishte 4 emra. Emrin e parë Pëllumb Muharremi, emrin e dytë Pëllumb Ymeri, emri i tretë është Aleksandër Dako i datëlindjes 1973, këtë mbiemër e ka marrë në vitin 2007. Mbiemrin tjetër Aleksandër Laho e ka marrë në vitin 2012, pra Aleksandër Laho 8/3/1973”.

Nga sulmi me armë, mbetën të plagosur të tre personat që ndodheshin në makinë; prokurori Arjan Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Pellumb Muharremi i njohur edhe si i “forti” Shijakut. /tvklan.al