Gjykata e Krimeve të Rënda ka rikonfirmuar masën e sigurisë arrest me burg për 5 persona e dyshuar si organizator të vrasjes së Devi Kasmit, mbrëmjen e 29 Janarit në Tiranë. Për Mario Meshinin, Malvi Dinellarin, Elton Hoxhën, Elton Halipaj dhe grekun Efthimios Efthimu nuk kanë ndryshuar kushtet, për t’i caktuar një masë tjetër më të butë.

41-vjeçari grek sipas hetimeve të prokurorisë është personi që ka ekzekutuar Kasmin. Mario Meshini dyshohet se ka nxjerrë në pritë viktimën, pasi ka pasur një komunikim telefonik me të, pak para atentatit. Ndërsa 3 persona e tjerë kanë ndihmuar Efthimios Efthimu për të kryer vrasjen.

Dosja e vrasjes së Devi Kasmit fillimisht u hetua nga Prokuroria e Tiranës, e cila disa ditë më parë shpalli moskompetencë. Kjo për faktin se atentati dyshohet se është organizuar nga një grup i strukturuar kriminal. Motiv i vrasjes dyshohet se është prishja e pazareve të drogës jashtë vendit.

Tv Klan