Majlinda nga Londra përmes një lidhje Skype rrëfeu për rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan, tragjedinë dhe dhimbjen që familja e saj po përjeton prej 25 vitesh.

2 vëllezërit e saj u nisën në vitin 1995 në drejtim të Italisë, por që nga ai moment nuk kanë më asnjë lajm prej tyre. Nëna e saj nuk e përballoi dot dhimbjen dhe pas 5 vitesh ndërroi jetë. Motra e madhe u bë nëna për të gjithë familjen dhe përkrahje për babain e saj, por edhe ajo para 9 vitesh ndërroi jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Plagët e kësaj familje janë shumë të mëdha, por ende ata shpresojnë për një mrekulli, ende presin lajmin e mirë që dy djemtë do të kthehen.  

Ardit Gjebrea: Mamaja nuk rezistoi dot?

Majlinda: Pa bërë 5 vjet iku dhe kam qenë pranë asaj kur ka vdekur në Tiranë. Me lot në sy, motra e madhe i fshinte lotët, ajo ishte drejt vdekjes.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë keni humbur edhe një motër tjetër?

Majlinda: Mbasi na vdiq mami, motra e madhe u bë nënë për ne dhe babait i ka ndenjur afër shumë, e ka ndihmuar në çdo gjë. Edhe ishte bërë krahu i djathtë i babit, i të gjithëve ne, por edhe i nuses së vëllait, mbesës, i të gjithë familjes. Edhe ajo para 9 vitesh, i bie një sëmundje e rëndë, se përballoi, 7 muaj nëpër spitale, ishte e pamundur për ta mbajtur në jetë. Sëmundja e keqe e mori në moshën 48 vjeç. Babai u përkeqësua shumë, iu shtuan tragjeditë, gjithçka iu përmbys.

Ardit Gjebrea: Babi yt akoma shpreson dhe sot t’i gjejë dy vëllezërit e tu?

Majlinda: Babi shpreson, edhe ne… Unë për vete jam shumë optimiste dhe shpresoj se një ditë do të dalin. Nuk e di, kam dëgjuar lloj-lloj ngjarjesh, situatash, në internet kam lexuar që mbas 25 vjetësh kanë gjetur fëmijët e humbur, nuk dihet problemi. Ndoshta jam edhe gabim dhe nuk duam ta pranojmë fatkeqësinë, por derisa të vdesim shpresojmë. Edhe babai e ka shprehur dhe thotë, me gojë mund ta flas, por me zemër se them dot që ata kanë vdekur, ose nuk janë gjallë./tvklan.al